E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosova misioni i ri i Blater

Numri një i FIFA-s, Sep Blater së shpejti pritet të ndërmarrë një mision të ri, i ngjashëm me atë që aktualisht po e bën shefja e diplomacisë europiane, Catherine Ashton, në dialogun Kosovë-Serbi.

Blater do të ndërmjetësojë ndërmjet dy federatave të futbollit, asaj të Kosovës dhe të Serbisë, me qëllim arritjen e një zgjidhjeje në lidhje me zhvillimin e ndeshjeve miqësore të përfaqësueses së Kosovës.

Për këtë angazhim të ri të Sep Blater ka vendosur Komitetit Ekzekutiv i FIFA-s, ku megjithatë është vendosur që të mos ndryshohet vendimi i mëhershëm i këtij organi, sipas të cilit Kosova nuk mund të luajë asnjë ndeshje miqësore pa marrë leje nga Serbia.

Federata e Futbollit të Kosovës e ka mirëpritur këtë vendim. Më tej aty thuhet se, FFK do të vazhdojë angazhimin e saj deri në përmbushjen e synimeve të veta.

“Konsiderojmë se ky është një hap pozitiv sepse UEFA nuk do të bllokoje më tutje këto kërkesa të drejta të FFK-së dhe se argumentet kundrejt palës serbe janë shumë të favorshme, duke pasur parasysh se FFK-ja ka qenë pjesë e barabartë në ish-Federatën Jugosllave, me të drejta dhe obligime të barabarta”, thuhet në një komunikatë të FFK-së.

Në modalitetet që i ka përcaktuar më parë FIFA, parashihet që përfaqësuesja A e Kosovës në futboll duhet të marrë leje nga Serbia për të luajtur brenda territorit të Kosovës.

Kjo ishte vlerësuar si e papranueshme nga institucionet kosovare. Madje, vetë kryeministri Hashim Thaçi i dërgoi një letër presidentit Blater, përmes të cilës kundërshtohej ky vendim.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›