E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosova nis dialogun me serbët e veriut, Thaçi: Kemi mbështetjen e SHBA- së

Kosovë- Pas deklaratave të shumta të ndërkombëtarëve, mesa duket ka nisur dialogu mes Kosovës dhe serbëve të veriut. Konfirmimi erdhi nga kryeministri kosovar Hshim Thaçi, gjatë takimit që ai zhvilloi me ambasadoren e SHBA- së në Prishtinë, Tracey Jacobson.

Gjatë një deklarate të përbashkët për mediat, Thaçi i u shpreh se tema kryesore e takimit ishte dialogu me Serbinë dhe përfundimi i mbikqyrjes së pavarësisë.

Kemi diskutuar edhe për hapat që do të ketë Kosova dhe informova ambasadoren për angazhimet konkrete të dialogut të brendshëm mes Qeverisë së Kosovës dhe serbëve në veri për një plan afirmativ që është prezantuar për integrimin e tyre në jetën institucionale dhe shoqërore që të ketë edhe në veri lëvizje të lirë, sundim të ligjit, të ketë demokraci, investime socio-ekonomike dhe në të njëjtën kohë kam besim të plotë se në këtë proces do të kemi mbështetjen e plotë edhe të SHBA-së por edhe gjithë botës demokratike të NATO-së dhe
Bashkimit Evropian,- tha Thaçi.

Më tej ai u shpreh se gjithashtu është biseduar edhe për hapat që do të hedhë Kosova pas përmbylljes së pavarësisë së mbikqyrur.

Ndërsa ambasadorja amerikane tha se SHBA- ja do të vijojë të jetë një mbështetje e madhe për Kosovën, si në rrugën e saj drejt integrimit ashtu edhe në forcimin e demokracisë.

Pata mundësi që të rikonfirmoj mbështetjen e fortë të SHBA-së për zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe zhvillimin e mëtejm si shtet demokratik shumetnike dhe për të ardhmen e Kosovës në rrugën e saj evropiane. Diskutuam për shumë çështje të ndryshme. Pata rastin të përgëzoj kryeministrin për përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë dhe për të gjitha ato çështje që janë arritur deri tani qe prej shpalljes së pavarësisë dhe të diskutojmë për disa punë që kanë mbetur ende,- tha ajo.

Gjithashtu Jacobson ka ofruar mbështejte për nisjen e dialogut Prishtinë- Beograd, pasi ky do të ishte një hap i rëndësishëm edhe për stabilitetin rajonal.

/IDEA/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›