Propozimi, taksa të forta bixhozit, 50% të xhiros do ta marrë bashkia
Tiranë- Bashkia e Tiranës ka mbledhur për herë të parë grupin e punës që po shqyrton mundësinë e zhvendosjes së të gjitha lojrave të fatit nga Tirana drejt një zone periferike. Ky grup pune kryesohet nga Kryetari i Bashkisë Lulzim Basha dhe në përbërje të tij janë dy zv/kryetarët, drejtorët e përgjithshëm dhe drejtoresha e Tatim-Taksave.
Sipas një njoftimi të bashkisë, grupi i punës ka klasifikuar si zonat më të mundshme për grupimin e lojrave të fatit dhe kazinove, zonën e Bregut të Lumit, Yzberishtin, Uzinën e Autotraktorëve e Tufinën.
Por duket se perveç grumbullimit të lojrave të fatit në një qytezë më vejhte, propozimi më i rëndësishëm do të jetë ai për vendosjen e një takse të fortë ndaj lojrave të fatit. Grupi i punës do i propozojë Këshillit Bashkiak, vendosjen e një tarife të veçantë, e cila mund të arrijë në 50% të xhiros për lojrat e fatit,- thuhet në njoftimin e bashkisë së Kryeqytetit.
Aktualisht, në Bashkinë e Tiranës ushtrojnë aktivitet 56 njësi qendrore, kazino elektronike dhe baste sportive, të cilat kanë 1012 salla lojrash. Me këto masa, Bashkia e Tiranës ka për qëllim të sigurojë një monitorim më të mirë të këtij aktiviteti dhe frenimin e problemeve sociale, komunitare dhe të kriminalitetit të lidhur me këtë aktivitet.