Kosova nuk përmbush standardet minimale

(E plotësuar) Kosova është burim dhe vend i destinacionit për gra dhe fëmijë që janë subjekt i trafikimit seksual dhe punës së detyrueshme. Ky është vlerësimi që i është bërë Kosovës në raportin e ri të Departamentit Amerikan të Shtetit për trafikimin e njerëzve. Shumica e femrave të trafikuara vijnë nga Moldavia, Slovakia, Shqipëria, Serbia dhe Polonia të cilat gjithënjë sipas raportit detyrohen në prostitucion në Kosovë.
Ndërkaq fëmijët nga Kosova dhe vendet fqinje detyrohen të bëhen lypës me forcë. Raporti i DASH gjithashtu nënvizon se trafikantët detyrojnë qytetarë të Kosovës që të ushtrojnë prostitucion dhe punë të detyrueshme nëpër gjithë Evropën.
Megjithatë jo gjithcka është zi në këtë raport për Kosovën, pasi Departamenti Amerikan i Shtetit lavdëron miratimin e Kodit të ri Penal që ka rritur edhe ndëshkimet për trafikuesit.
Në mesin e rekomandimeve për Kosovën, në raport thuhet që vendi duhet të vazhdoi të forcoi përpjekjet për të ndjekur, dënuar trafikantët që detyrojnë njerëzit në prostitucion dhe punë të detyrueshme. Qeveria duhet të dënoi edhe zyrtarët që janë pjesëmarrës në këto krime dhe të avancojnë me trajnime gjyqtarët dhe prokurorët.
--------
Kosovës i është dhënë nota “Tier 2” në raportin më të ri të Departamentit Amerikan të Shtetit për trafikimin e njerëzve. Në këte nivel janë të përfshira shtetet ku “qeveria nuk i përmbush standardet minimale të ‘Ligjit të Mbrojtjes së Viktimave të Trafikimit’, por po bëjnë përkjekje të rëndësishme që të përmbushin ato standarde".
Nga vendet e rajonit vetëm Maqedonia gjendet në nivelin e parë ku thuhet se qeveritë i përmbushin të gjitha standardet minimale të mbrojtjes së këtyre viktimave. Serbia, Mali i Zi, Bosnja dhe Hercegovina gjenden në të njejtin nivel me Kosovën. Shqipëria është i vetmi vend që gjendet në një nivel më poshtë.
Raporti i ri i Departamentit të Shtetit u publikua në orën 22 sipas orës tonë nga Sekretari i Jashtëm amerikan John Kerry i shoqëruar nga disa aktivistë apo zyrtarë të shteteve që kanë arritur sukses të vërejtshëm në luftën kundër trafikimit të njerëzve. Në mesin e atyre që u nderuan nga shteti amerikan ishte edhe Katrin Gluic, krye-inspektorja e Zyrës të Policisë Kombëtare të Kroacisë.
Sekretari Kerry para gazetarëve tha se ky raport nuk publikohet nga shteti amerikan “pse ne mendojmë që jemi më të mirë se të tjerët apo që thjeshtë kemi dëshirë ta drejtojmë gishtin kundër dikujt tjetër. Por sepse në këtë vend është luftuar të bërit të tjerëve skllav. Mos të harrojmë ne jemi vendi që njëherë e lejuam futjen e skllavërisë në Kushtetutën amerikane që më pas ta luftojmë e heqim atë”./Indeksonline/