E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosova, para vendimit për të shitur PTK

Gazeta Shqip

Një kompani investimesh ofron 244 milionë euro, shumë më pak nga sa pritej për privatizimin

PTKQeveria e Kosovës mori një ofertë prej 244 milionë eurosh për të shitur Postë Telekomunikacionin e Kosovës, gjigantin publik që përfshin telefoninë fikse, kompaninë më të madhe celulare, si dhe sistemin postar të vendit. Oferta është shumë më e vogël sesa pritej, si dhe shumë e ulët në krahasim me faktin që gjiganti publik realizon aktualisht 90 milionë euro fitime në vit.

Por Kosova synon ta shesë PTK-në, me qëllimin që të paguajë autostradën Vërmicë-Merdare. Tenderi për privatizim dështoi disa herë gjatë viteve të fundit dhe asnjë emër i madh i telekomunikacionit ndërkombëtar nuk u afrua në Kosovë.

Partneri i vogël në koalicionin qeveritar, AKR, e kundërshton shitjen dhe përkrah dhënien e PTK-së nën menaxhimin e një kompanie të lidhur me biznesmenin Esad Puskar.

Gati katër vjet e gjysmë që kur qeveria filloi përgatitjet për shitjen e Postë Telekomit të Kosovës dhe me mbi 4.1 milionë euro të shpenzuara drejt këtij qëllimi, ajo pritet tia shesë ndërmarrjen më të fuqishme publike në vend një konsorciumi gjermano-amerikan, i cili ka ofertuar dukshëm më pak sesa priste ekzekutivi i vendit.

Shitja vetëm tani është në prag, që kur se qeveria ngriti në dhjetor të 2008-s një komitet të ministrave që obligohej të gjente opsione për pjesëmarrjen e sektorit privat në PTK, ndërmarrjen e krijuar më 1959-n nga atëherë Posta, Telekomunikacioni dhe Telegrafi i Jugosllavisë.

Ndërmarrja llogaritet se i ka sjellë rreth 450 milionë euro të hyra vendit në formë të dividentës dhe taksave përgjatë dekadës së fundit.

Qeveria ka shpenzuar edhe mbi 4.1 milionë euro për këshilltarët e shitjes Lazard Freres S.S.S dhe Raiffeisen Investment AG, Telco Ag dhe Hunton & Williams.

Kritika ka nënvizuar se qeveria nuk e ka lënë ndërmarrjen të zhvillohet dhe se nuk kishte arsye të lëvizte me privatizim domosdoshmërish, kur ndërmarrja është në fitim të vazhdueshëm.

Por qeveria ka shtyrë përpara privatizimin si një opsion më të përkrahur të operimit të bizneseve, ka përdorur argumentet e punësimit të jashtëligjshëm në ndërmarrje, një skandal të dëmtimit prej qindra miliona eurosh të ndërmarrjes kur Dardafone.com kishte fituar një kontratë më 2008-n për të operuar si operator virtual, si dhe nevojën për të paguar koston e ndërtimit të autostradës.

Hapja e ofertave të premten u kundërshtua nga opozitarët.

Vetëvendosja pohoi se Kuvendi i Kosovës ishte mbajtur jashtë procesit të vendimmarrjes.

Për një aset të tillë nacional, vendimi për privatizimin e tij është tentuar të kontrabandohet përmes ligjit për buxhetin. Pasi dështoi privatizimi atë vit, qeveria nuk solli asnjëherë në Kuvend vendimin për privatizimin e PTK-së, thuhet në kumtesën e VV-së.

Ajo dyshon se kompania e dytë për nga çmimi ofertues është përdorur vetëm sa për të përmbushur kushtin formal të konkurrencës pasi, sipas saj, është e pamundshme që ofertat për të njëjtin aset të kenë dallime aq të mëdha me njëra-tjetrën.

Qeveria e vazhdoi këtë proces edhe me faktin se kishte vetëm dy ofertues dhe duke ditur se kompania e shpallur fituese nuk është kompani e telekomunikacionit, por është kompani e ofrimit të kapitalit dhe tërheqjes së fitimit, thotë Vetëvendosje.

Sipas VV-së, privatizimi bëhet edhe më shumë i paarsyeshëm, pasi paratë nga shitja e PTK-së do të përdoren për ndërtimin e autostradës Prishtinë-Shkup.

Edhe partia më e madhe opozitare në vend reagoi, duke e vlerësuar procesin si dështim të qeverisë Thaçi 2.

Ky privatizim ka qenë i shtyrë nga presionet fiskale që ka qeveria e Kosovës, e jo i bazuar në objektiva strategjikë për të maksimizuar vlerën e shitur dhe përmirësuar shërbimet për qytetarë, thuhet në kumtesën e LDK-së.

Kosova, para vendimit për të shitur PTK burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›