Kosova paralajmëron një pritje madhështore për mikun e shqiptarëve, Xhozef Bajden
Kryeministri Hashim Thaçi dhe zyrtarë të lartë të qeverisë kosovare thanë dje se populli i Kosovës do t’i rezervojë një pritje madhështore zëvendëspresidentit amerikan, Joe Biden, i cili është i njohur për qendrimet e tij në mbështetje të mëvehtësisë së shtetit më ri në rajon
Lidershipi i Prishtinës ka paralajmëruar se kosovarët do t’i rezervojnë një pritje madhështore zëvendëspresidentit amerikan, Joe Biden. Kryeministri Hashim Thaçi tha se Biden meriton respektin e popullit të Kosovës. “Z. Biden është i familjarizuar me çështjet e Kosovës. Qeveria dhe populli i Kosovës po e pret me padurim ardhjen e tij. Do të jetë një pritje madhështore, të cilën edhe e meriton z. Biden”, ka thënë kryeministri Thaçi gjatë një vizite që i bëri qytetit të Ferizajt.
Ministri i Jashtëm, Skënder Hyseni, ndërkaq, e cilësoi si historike vizitën e zëvendëspresidentit amerikan. “Institucionet e vendit kanë bërë përgatitjet për një pritje madhështore për mikun e popullit të Kosovës. Kjo është një vizitë historike”, tha Hyseni. “Vizita e Bidenit do të jetë një rikonfirmim i mbështetjes së fuqishme amerikane për Kosovën dhe do të dëshmojë praninë e mëtejme të saj në këtë pjesë të Ballkanit”, shtoi ministri Hyseni.
Zëvendëspresidenti amerikan do të vizitojë të enjten Prishtinën, ku do të takohet me presidentin, kryeministrin, kryetarin e Kuvendit, si dhe do të vizitojë kampin amerikan në periferi i qytetit të Ferizajt. Qyteti i Ferizajt, të dielën priti edhe kryeministrin e Kosovës, i cili më këtë rast çmoi arritjet e pushtetit lokal. “Ndjehem mirë që si qeveri kemi mbështetur këto projekte. Komuna e Ferizajt është shembulli më i mirë i ndryshimeve pozitive në Kosovë”, ka thënë kryeministri i Qeverisë së Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ka vëzhguar nga afër punët në rrugën “13 Qershori” dhe në ndërtimin e objektit të ri të Shkollës fillore “Tefik Çanga”. “Kam qenë vazhdimisht i inkurajuar nga Qeveria dhe vazhdimisht kam pasur përkrahjen e saj. Për vitin e kaluar kemi pasur 11 milionë investime, ndërsa këtë vit do të kemi investime në projekte kapitale nga 17 deri në 20 milionë”, ka thënë kryetari i Komunës së Ferizajt, Bajrush Xhemaili, i cili me këtë rast edhe ka falënderuar për mbështetje kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi. I pyetur nga gazetarët se a do ta shfrytëzojë vizitën në Ferizaj për të vizituar xhematin e Xhamisë së Madhe, që tash e një javë gjenden në grevë urie, Thaçi ka thënë se si kryeministër nuk do të përzihet në problemet e Bashkësisë Islame, por megjithatë ka shprehur vullnetin e mirë që të ndihmojë në zgjidhjen e këtij problemi. Kryeministri Thaçi më pas duke ecur këmbë rrugës kryesore “Dëshmorët e Kombit”, shpesh është ndalur dhe ka folur me qytetarët. Kryeministri ka gjetur kohë të pijë një kafe mu në qendër të qytetit të Ferizajt. Vizitën e tij e ka përfunduar në selinë e Degës së PDK-së, ndërsa fillimisht ishte pritur në zyrat e kryetarit të Komunës së Ferizajt, Bajrush Xhemailit.