Kosova përballet me vështirësi në procesin e liberalizimit

Përveç tejkalimit të barrierave politike, sidomos atyre që vijnë nga jashtë, Kosova duhet të jetë e përgatitur mirë për të adresuar reformat e politikave të brendshme. Këto konstatime dolën në tryezën e organizuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, me temën “të arriturat, sfidat dhe dinamika e institucioneve të Kosovës në plotësimin e kushteve që dalin nga Udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave”.
Dren Doli, nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, tha se procesi i liberalizimit është shumë më kompleks se në vendet tjera, duke marrë parasysh se Kosova ka pranuar një udhërrëfyes me kritere shumë të ngjeshura.
Ndërkaq, zëvendësministri i Ministrisë për Integrime Evropiane, Gëzim Kasapolli, tha se pavarësisht kritereve të shumta, Kosova ka arritur progres të konsiderueshëm në këtë proces.
Në këtë tryezë u theksua se brenda dy javësh do të fillojë një fushatë për vetëdijesimin e qytetarëve për procesin e liberalizimit të vizave. Sepse, qytetarët do të kenë mundësi të udhëtojnë në Evropë pa viza, vetëm atëherë kur vërehen trende pozitive të uljes së kërkesave për azil kërkues në vendet e Bashkimit Evropian. /rtk/