E Diel, 1 Nëntor 2026

Serbia nuk mund të ndikojë në Tribunalin e Hagës

Përpjekja e Serbisë për të ushtruar trysni dhe ndikim në vendimet e Tribunalit të Hagës, është një ndërmarrje e kotë. Kështu vlerësoi për Radio Kosovën ambasadori Lisen Bashkurti njohës i të Drejtës Ndërkombëtare.

Ai thotë se Tribunali është një Institut i themeluar nga Këshilli i Sigurimit dhe Serbia këtu nuk mund të bëjë gjë.

"Nuk mendoj se presioni i Qeverisë serbe do të ndikojë mbi vendimet e Tribuanlit të Hagës. Ai është një trupë ndërkombëtare e themeluar me vendimin e Këshillit të Sigurimit për krimet e luftës, të kryera në Ish Jugosllavi. Është nj trupë indipendente që udhëhiqet tërësisht nga parimet e Kartës së OKB-së dhe nga e Drejta Ndërkombëtare Penale. Së dyti: presioni që po bën Qeveria serbe ndaj Tribunalit, po bëhet me qëllim për të zhvendosur vëmendjen nga përgjegjësitë për mosrespektimin e parimeve, obligimeve deh vendimeve që ka ajo si qeveri ndaj Tribunalit të Hagës dhe prokurorisë së Hagës", tha Bashkurti.

"Serbia është shteti më i ndëshkuar nga vendimet e Tribunalit të Hagës për krime të luftës në ish - Jugosllavi. Nga kjo Gjykatë janë dënuar zyrtarët më të lartë të këtij vendi duke filluar nga presidenti Millosheviq e deri te eksponentët më të lartë ushtarakë të saj. Serbia nga kjo Gjykatë është përcaktuar si shtet gjenocidal që ka marrë pjesë në krime kundër njerëzimit, Serbia është vendi që ka organizuar dëbime dhe pastrime masive etnike dhe varre masive në vendet e Ballkanit në njëzet vitet e fundit. Serbia ka bërë krime permanente kundër Kosovës në mënyrë të përsëritur, ndërsa nuk ka pranuar vendimet e kësaj Gjykate për krime të luftës në Jugosllavi. Serbia nuk ka pranuar as opinionin pozitiv të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe Serbia nuk ka bërë as aktin moral të kërkimit të faljes për krimet e kryera ndaj popullit kroat, mysliman dhe popullit shqiptar çka do të thotë se Qeveria e Serbisë vazhdon të jetë në pozita të paraluftës, një qeveri që nuk njeh të Drejtën Ndërkombëtare Penale, nuk respekton pavarësinë e gjykatave ndërkombëtare, nuk respekton marrëveshjet e as traktet ndërkombëtare. Me këto qëndrime mendoj se Qeveri e Serbisë bën bumerang politik sepse nuk shpalos gjë tjetër në opinionin ndërkombëtar, përveç se qëndrimet e njohura të saj lidhur me luftën në ish Jugosllavi", shtoi ai.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›