E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosova, pjesërisht e lirë

Në raportin e fundit të Organizatës Freedom House për lirinë e shtypit në botë, për vitin 2009, Kosova është radhitur në vendin e 53-të si pjesërisht e lirë.

Karakteristikë e raportit të sivjetmë është se Kosovën, për herë të parë, e trajton si shtet të veçantë.

Shqipëria është radhitur e 50-ta, gjithashtu si pjesërisht e lirë.

Me të njëjtin vlerësim janë klasifikuar Serbia në vendin e 35-të, Kroacia në vendin 40, Maqedonia në vendin 46, ndërsa Bosnjë e Hercegovina në vendin 48.

Raporti i Freedom House thotë se në vitin 2009 është shënuar rënie e lirisë së shtypit në mbarë botën.

Raporti thotë se gjatë 2009-ës, vetëm një nga gjashtë njerëz ka jetuar në vend me liri të shtypit.

Turkmenistani, Uzbekistani, Bjellorusia dhe Irani radhiten ndër shkelësit më të mëdhenj të lirisë së shtypit, ku "mediat e pavarura janë joekzistente ose mezi operojnë".

Irani ka marrë vlerësimet më të këqija në historinë 30-vjeçare të raporteve. Ky vend u radhit në mesin e dhjetë vendeve më shtypëse të mediave në botë në vitin 2009, gjë që u pasqyrua nga shtypja e gjerë e qeverisë ndaj gazetarëve, pas rizgjedhjes së kontestuar të presidentit Mahmud Ahmadinexhad.

Në Rusi, liria e shtypit është përkeqësuar pak në 2009-ën dhe nuk u cilësua si "e lirë" për të shtatën herë me radhë.

Vendet skandinave mbeten në krye të listës, me shkallën më të lartë të lirisë së shtypit në botë.

Indeksi i lirisë i Organizatës Freedom House e vlerëson shkallën e lirisë së mediave të shtypit, të atyre elektronike dhe të internetit në çdo vend të botës, duke analizuar ngjarjet dhe zhvillimet në çdo vit kalendarik.

Radhitja përcaktohet përmes shqyrtimit të tri kategorive të gjera: mjedisit legal në të cilin veprojnë mediat, ndikimet politike në raportimet apo qasjet në informacionet, si dhe presionet ekonomike në përmbajtjen e lajmeve.

Radhitja nuk i pasqyron vetëm veprimet dhe politikat e qeverisë, por edhe sjelljen e mediave në kufijtë e caktuar, madje edhe në mjediset më kufizuese.

Çdo vend vlerësohet prej numrit 0 (më i lirë) deri në 100 (më pak i lirë). Kjo shërben si bazë për cilësimin e gjendjes së mediave si të lira, pjesërisht të lira, apo jo të lira. /rel/

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›