E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosova pjesmarrëse në takimet e FMN dhe Bankës Botërore

 

PRISHTINE-Kosova merr pjesë për herë të parë në kuadër të takimeve të vjeshtës, ose vjetore, të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar. Takimet po mbahen në Ëashington, për herë të parë këtë vit dhe i ftuar në cilësinë e vëzhguesit, edhe një delegacion i Republikës së Kosovës, i kryesuar nga ministri i Ekonomisë dhe i Financave, Ahmet Shala. Kosova ka bërë kërkesën zyrtare për t'u anëtarësuar në këto organizata financiare ndërkombëtare, dhe sipas ministrit Shala, anëtarësimi mund të bëhet qysh në pjesën e parë të vitit të ardhshëm.
E gjithë procedura e anëtarësimit merr të paktën prej gjashtë deri në nëntë muaj, ndërkaq nga mesi i korrikut të dyja institucionet konfirmuan marrjen e aplikimit nga Kosova.
Fuqinë votuese me shumicë në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore e kanë vendet perëndimore, shumica e të cilave edhe e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
Anëtarësimi paraprak në FMN është kusht për t'u anëtarësuar në Bankën Botërore.
Në nëntor pritet të krijohet një komision për anëtarësim, i cili do të paraqesë raportin para Bordit të guvernatorëve të Fondit Monetar Ndërkombëtar mbi kuotën dhe aksionet e Kosovës, që janë si parakusht për anëtarësim.

(d.b/RTK/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›