E Diel, 1 Nëntor 2026

Radikalët në Maqedoni kërkojnë anulimin e njohjes së Kosovës

 

SHKUP - Partia Radikale Serbe në Maqedoni kërkoi që qeveria të tërheqë vendimin për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Kryetari i kësaj partie, Vane Veliçkoviç, deklaroi sot se ky vendim i qeverisë maqedonase është në kundërshtim me interesat e vendit. “Kur në Maqedoni po kryhet kosovarizimi intensiv dhe i përforcuar, kur po thyhen gurët e kufirit me Kosovën, njohja e Kosovës nga Qeverisë është hapi më i mirëseardhur që kontribuon në shkatërrimin e shtetit dhe kombit maqedonas”, tha Veliçkoviç. Më tej ai kërkoi që deputeti dhe kryetari i Partisë Demokrate Serbe, Ivan Stoilkoviç të tërhiqet nga koalicioni qeveritar.
Edhe në Malin e Zi ka patur kundërshtime për njohjen e Kosovës. Pasditen e djeshme në Podgoricë u zhvillua një protestë e drejtuar nga opozita në Malin e Zi për të kundërshtuar njohjen e pavarësisë së shpallur në 17 shkurt. Kjo protestë përfundoi me plagosjen e 34 personave mes të cilëve edhe policë dhe arrestimin e 28 demonstruesve.
Qeveria e Maqedonisë dhe ajo e Malit të Zi njohën në të njëjtën ditë pavarësinë e Kosovës, ditën e enjte.
(a.s/Balkanweb/INA)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›