Kosova po rrëshqet kah ndarja

The Guardian/ Wikileaks
Diplomatët e Shteteve të Bashkuara kanë tërhequr vërejtjen se “pavendosmëria dhe dobësia” evropiane do të mund të krijonin një kontroll të fuqishëm serb ndaj pjesës veriore të Kosovës, shkruan në numrin e djeshëm e përditshmja londineze "The Guardian", duke u mbështetur në dokumentet diplomatike amerikane, të publikuara nga Wikileaks.
Shtetet e Bashkuara frikësohen se Evropa do t’i nënshtrohej presionit serb që Kosova të ndahet, lëvizje kjo për të cilën diplomatët kanë tërhequr vërejtjen se mund të nxisë dhunë etnike.
Mesazhet e ambasadës së Shteteve të Bashkuara, të publikuara nga Wikileaks, tregojnë se zyrtarë të lartë të Serbisë, privatisht, i kanë thënë Uashingtonit dhe Bashkimit Evropian se qeveria e Kosovës kurrë nuk do ta marrë kontrollin e plotë të territorit të kontestuar dhe në mënyrë indirekte kanë bërë presion për ndarje, shkruan "The Guardian".
Zyrtarët e lartë të Shteteve të Bashkuara e kanë kundërshtuar fuqishëm atë që ata e shohin si fushatë e orkestruar dhe e durueshme e presidentit të Serbisë, Boris Tadiç, për ndarjen e Kosovës, që nëse do të jetë e suksesshme, do t’i shkaktonte disfatë një dekade të politikës së jashtme amerikane.
Lidhur me këtë çështje, zyrtarët e kanë dënuar “pavendosmërinë dhe dobësinë” evropiane.
Njëmbëdhjetë vjet pasi NATO-ja shkoi në luftë në Ballkan, për t’i bombarduar forcat serbe dhe për t’i larguar ato nga Kosova dhe pothuajse tre vjet pasi Kosova e shpalli pavarësinë e saj si shtet me shumicë shqiptare, kryeneçësia e Serbisë dhe përpjekjet e saj ditore për ta marrë kontrollin ndaj pjesës veriore të Kosovës rrezikojnë kthimin e konfliktit etnik - i ka tërhequr vërejtjen Uashingtonit Ambasada e Shteteve të Bashkuara.
“Dështimi për të vepruar së shpejti nënkupton humbjen e Kosovës veriore dhe kjo do ta rihapë kutinë e Pandorës për konflikte etnike, që i definuan vitet e 90-ta”, - ka shkruar ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Kristofer Dell, këtë vit.
“Koha është e duhur për t’i mbyllur vitet e tendencës në veri dhe për ta ndryshuar dinamikën e forcimit të ndarjes ndërmjet veriut dhe pjesës tjetër të Kosovës... Situata aktuale është e pambrojtur dhe e përkeqësuar. Qëllimi është që të ndalet përkeqësimi”, - ka shkruar zoti Dell, duke u mbështetur në dokumentet diplomatike të publikuara në Wikileaks.
Kosova shkon në zgjedhjet e përgjithshme, shumë të pritura, këtë fundjavë, të cilat paraqesin një moment shumë të rëndësishëm në përpjekjet e saj për t'u bërë shtet i pavarur me të drejta të plota, shkruan "The Guardian".
Ndarja ishte çështje e fuqishme e fushatës, ndërsa analistët dhe diplomatët me ankth presin të shohin se sa serbë të Kosovës do të votojnë. Zyrtarët e lartë në Beograd u kanë tërhequr vërejtjen amerikanëve dhe evropianëve, se çfarëdo përpjekjeje për të imponuar integrimin në Kosovën veriore, përreth bazës nacionaliste serbe në qytetin e Mitrovicës, do ta kërkojë forcën ushtarake të NATO-s dhe do ta destabilizojë rajonin. Jovan Ratkoviç, këshilltar për politikë të jashtme i Presidentit serb, Boris Tadiç, që është edhe zyrtari kryesor në negociatat lidhur me Kosovën me diplomatët perëndimorë, i tha ambasadores së re amerikane në Beograd se serbët në pjesën veriore të Kosovës kurrë nuk do ta pranojnë qeverisjen nga shqiptarët. “Këta njerëz kurrë nuk kanë jetuar me shqiptarët, kurrë nuk e kanë ndier veten si pjesë e Kosovës dhe nuk do ta pranojnë qeverisjen nga Prishtina”, - i ka thënë Ratkoviç ambasadores së Shteteve të Bashkuara, Mari Uorlik, në shkurt të këtij viti. “Beogradi nuk po përpiqet ta ndryshojë realitetin në terren për shqiptarët e Kosovës, por duke e ndryshuar për serbët e Kosovës, po ashtu do të jetë destabilizuese”. Ratkoviç ka shtuar se Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian po e shqyrtonin “ndërhyrjen ushtarake” për ta inkorporuar me forcë Kosovën Veriore.
Para një muaji, zoti Ratkoviç ka paraqitur një skenar të barabartë me ndarjen te Robert Kuper, këshilltar i zonjës Kethrin Eshton, shefe e politikës së jashtme të BE-së, dhe personi britanik i BE-së për situata të trazuara për Ballkanin dhe Iranin. “Ratkoviç në mënyrë të qartë i ka thënë Kuperit se derisa Beogradi duhet ta pranojë se më nuk do ta qeverisë Kosovën, Kosova duhet të arrijë ta kuptojë se nuk do të jetë në gjendje që në mënyrë efektive ta shtrijë qeverisjen e saj në veri të lumit Ibër në Mitrovicë", - raportohet në një mesazh tjetër diplomatik të rrjedhur. Derisa Serbia publikisht dhe në mënyrë konstante afirmon se kurrë nuk do ta pranojë ose njohë një Kosovë të pavarur, të cilën e sheh si territor të shenjtë historik serb, në mesazhet diplomatike zbulohet se Beogradi e pranon se Kosova, e kontrolluar nga shqiptarët, është e humbur dhe se ambiciet e Tadiçit për t’iu bashkuar BE-së do të dëmtohen, nëse ai e vazhdon linjën e fortë për këtë territor, shkruan "The Guardian".