Zgjedhjet, Kosova sot voton qeverinë e re

Procesi, votojne mbi 1 milion e gjysme kosovare. Monitorim i zgjedhjeve prej 32 mije vezhguesish, policia 6 mije police per sigurine e procesit
Kosova sot voton. Qysh në orët e para të mëngjesit, shtetasit kosovarë priten t’u drejtohen qendrave të votimit për të zgjedhur mes një numri të madh kandidatësh të partive të ndryshme përfaqësuesin e saj për në Kuvendin e Kosovës. Pas dhjetë ditësh fushatë zgjedhore, koha më e shkurtër për shkak të zgjedhjeve të jashtëzakonshme, Kosova dje mbajti heshtjen zgjedhore për t’u lënë radhën sot zgjedhësve të vendosin cila do të jetë fytyra e re qeverisëse.
Do të jenë mbi 1 milion e gjysmë zgjedhës që do t’u drejtohen sot kutive të votimit. Votimi pritet të zhvillohet edhe në veri të vendit, në Mitrovicën e Veriut. Pakica serbe që banon kryesisht në këto zona, pritet të bojkotojë masivisht zgjedhjet, e ndikuar nga Beogradi, ndërsa një pjesëmarrje më e madhe e serbëve pritet në qendrat zgjedhore në fshatrat me këtë pakicë që ndodhen në brendësi të Kosovës.
Pritet që ky proces i rëndësishëm, nga ku do të dalin 120 deputetët e ardhshëm, të jetë plotësisht i monitorueshëm, si nga vëzhgues vendorë, ashtu dhe nga 182 vëzhgues të huaj që kanë mbërritur prej disa ditësh në Kosovë.
Mes vëzhguesve do të ketë edhe punonjës të ambasadave të akredituara në Kosovë, të cilat do të jenë të shpërndara në gjithë territorin kosovar për të monitoruar procesin. Gara pritet të jetë e fortë, përkatësisht mes dy partive dikur në koalicion dhe tashmë rivale, PDK e LDK. Surprizë mbetet rezultati i lëvizjes “Vetëvendosja”, të cilën sondazhet e fusin në listën e tri forcave kryesore politike në vend, por që vetëm nesër do të mund të thuhet se ku do të renditet.
Megjithatë, analistë dhe ndjekës të situatës politike në vend thonë se partia që parashikohet të fitojë këtë proces politik, është PDK, partia e Kryeministrit Hashim Thaçi. Ndërkohë që, fraksioni i dalë nga LDK-ja dhe në të cilin bën pjesë djali i Ibrahim Rugovës, pritet t’i sjellë dëme të konsiderueshme kësaj partie gjatë këtyre zgjedhjeve. Megjithatë, po sipas të njëjtave burime, flitet që Kosova mund të shkojë sërish në zgjedhje mesin e vitit të ardhshëm, pasi koalicioni i PDK-së me partinë e Bexhet Pacollit shihet si i paqëndrueshëm.
KQZ vijon punën për sqarimin e procedurave
Duke qenë se dje subjektet politike kanë ndaluar aktivitetet partiake, Komisioni Qendror Zgjedhor ka vijuar punën, duke mbledhur përfaqësuesit e partive pjesëmarrëse në zgjedhje, për t'ua sqaruar procedurat e numërimit në Qendrën e Numërimit të Votave. Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, ka përsëritur se janë bërë përgatitjet e duhura për organizimin e zgjedhjeve të lira parlamentare të 12 dhjetorit. “Të gjitha aktivitetet, të cilat kanë qenë të parapara sipas planit operacional, ne kemi arritur që t’i përfundojmë në afatet ligjore dhe në përpikëri”, - ka bërë të ditur Daka. Zonja Daka ka thënë se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve deri tash nuk ka pasur asnjë problem gjatë përgatitjeve për zgjedhjet e jashtëzakonshme. Sipas saj, mbarëvajtja e procesit të votimit, tash e tutje është përgjegjësi e partive politike dhe e Komisioneve Komunale. “Ne e kemi sjellë gjithë procesin zgjedhor deri këtu, pra deri në ditën e zgjedhjeve. Ndërsa, sa i takon ditës së nesërme, do të doja t’ju njoftoj se barrën më të madhe do ta keni ju, si subjekte politike, komisionarët dhe vëzhguesit e partive politike”, - ka theksuar Daka. KQZ-ja ka konfirmuar se numri i përgjithshëm i votuesve në Kosovë do të jetë mbi 1.6 milionë. Nga ky numër, votues të rinj janë 73.288 persona. Ndërkaq, nga lista e votuesve si persona të vdekur janë hequr 6.165 emra. Institucioni për organizimin e zgjedhjeve ka njoftuar, po ashtu, se të dielën do të hapen 746 qendra të votimit, me gjithsej 2.280 vendvotime. Por, sa i takon asaj se çfarë qendrash të votimit do të hapen në veri të Kosovës, zonja Daka është shprehur: “Sa u takon zgjedhjeve dhe qendrave të votimit, ne do t’i hapim ato, të cilat janë të parapara sipas planit operacional e që janë gjithsej 14 qendra të votimit. Disa nga to janë fikse e disa të tjera janë mobile (lëvizëse). Ne do të punojmë dhe do ta implementojmë planin ashtu siç e kemi paraparë, sigurisht në partneritet me faktorin ndërkombëtar”. KQZ-ja ka bërë të ditur se të dielën, në orët e hershme të mëngjesit, materiali i nevojshëm do të shpërndahet nëpër qendra dhe në vendvotime.
Zgjedhjet, 20 vëzhgues nga SHKD e Shqipërisë
Zgjedhjet e së sotme, në të cilat garojnë 29 subjekte politike, do të monitorohen nga mbi 32 mijë vëzhgues. Prej tyre, mbi 26 mijë u përkasin partive politike, 493 organizatave ndërkombëtare, 351 ambasadave, si dhe mbi 5 mijë vëzhgues janë nga organizatat joqeveritare. Janë 182 vëzhgues të rrjetit të organizatave evropiane për monitorimin zgjedhjeve - ENEMO. Prej tyre, 170 janë shpërndarë prej ditës së premte në të gjitha qendrat e votimit në Kosovë. Ndërsa 12 prej tyre do të qëndrojnë në qendrën e numrit të votave dhe rezultateve si dhe do monitorojnë procesin derisa të shpallet rezultati përfundimtar i zgjedhjeve të 12 dhjetorit. Për herë të dytë në këtë proces marrin pjesë edhe 20 vëzhgues nga Shqipëria, pjesë e dy organizatave pjesë të ENEMO-s. Grupi i vëzhguesve drejtohet nga drejtoresha e Shoqatës për Kulturë Demokratike, Gerta Meta, dhe pjesë e grupit janë vëzhgues me përvojë si në Shqipëri, ashtu dhe në vendet e Evropës Juglindore.
Siguria e zgjedhjeve, angazhohen 6 mijë policë
Policia e Kosovës ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme policore për zgjedhjet e jashtëzakonshme të përgjithshme, të cilat mbahen sot. Përmes një njoftimi për media bëhet e ditur se Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Kosovës kohë më parë ka hartuar një urdhër operativ dhe në këtë kuadër janë përgatitur dhe harmonizuar planet e të gjitha Drejtorive Rajonale të Policisë, lidhur me mbështetjen e procesit zgjedhor nga aspekti i sigurisë gjatë dhe pas operacionit në fjalë. Policia e Kosovës do të jetë përgjegjëse për mbarëvajtjen e rendit, qetësisë dhe sigurisë publike e mbështetur nga EULEX-i dhe KFOR-i, nëse Policia e Kosovës vlerëson se ka nevojë për një gjë të tillë. Për të ofruar siguri gjatë procesit zgjedhor, Policia e Kosovës ka angazhuar rreth 6 mijë policë në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.