E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosova prezantohet në “Montreux Jazz Festival”

Republika e Kosovës për herë të parë do të ketë mbrëmjen e vet në edicionin e 46-të të Festivalit prestigjioz të Jazz-it, “Montreux Jazz Festival” të Zvicrës.

Pas një pune të MKRS-së dhe Ambasadës së Kosovës në Zvicër, në marrëveshje me organizatën “Montreux Jazz 2 Foundation for Creative and Cultural Exchange” është siguruar që këtë vit Kosova të jetë shteti që do të ketë mbrëmjen e vet në këtë festival, në kuadër të netëve performuese “Eastern Delights” që mbahen në kuadër të Festivalit që disa vite. Po ashtu me një pavijon të veçantë do të prezantohet kultura dhe trashëgimia e Kosovës.

Kosova do të përfaqësohet në këtë eveniment prestigjioz nga grupet ODA, Jericho, dhe Etno Classic dhe mbrëmja e Kosovës, e mbiquajtur “Kosovo Rocks” do të jetë më datën 3 korrik.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi vlerëson se pjesëmarrja e Kosovës në këtë ngjarje përben një moment shumë të rëndësishëm për promovimin e artit dhe artistëve kosovarë.

“Paraqitja e Kosovës në këtë festival shënon një hap të rëndësishëm në promovimin e vlerave tona dhe padyshim krijimin e mundësive më të mëdha për bashkëpunim të artistëve tanë me kolegët e tyre nga Evropa dhe bota. Ky është një nga hapat e rëndësishëm dhe që për herë të parë ka ndodhur vitin e kaluar dhe këtë vit, duke kujtuar këtu prezantimin tonë në Berlinale, Cannes si dhe në Bienalen e Venecias, që pritet të ndodh gjatë këtij viti. Padyshim se tashmë ne po bëhemi një pjesë e rëndësishme e ngjarjeve të mëdha evropiane dhe botërore, si në muzikë, film dhe fusha tjera”.

Edicioni i parë i “Montreux Jazz Festival” është mbajtur në vitin 1967 dhe prej atëherë, ky eveniment ka qenë një nga ngjarjet më të rëndësishme muzikore, ku kanë përformuar artistët më të njohur botëror si Ray Charles, Miles Davis, Eric Clapton, BB King, Deep Purple, Santana, Sting e shumë të tjerë.

Numri i vizitorëve dhe i biletave që janë shitur nëpër mbremjet e këtij festivali ka shkuar për çdo vjet duke u rritur, duke shkuar deri në mbi 200 mijë vizitorë. Si themelues I këtij festivali njihet Claude Nobs.

Edhe në këtë edicion pritet të ketë emra të njohur të muzikës botërore si Tony Bennet, Bob Dylan, Alanis Morissette, Anastacia, Pat Metheny, Jessie J, etj.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›