E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përdor historitë e vërteta për personazhet e mia

Njerëzit për të cilët unë shkruaj kanë besim tek unë dhe unë tek ata. Gjithmonë e rilexoj me shumë kujdes atë që kam shkruar dhe nëse e ndiej që duhet të ndryshoj ndonjë gjë e bëj. Puna ime ka të bëjë edhe me kujdesjen për historitë e tyre.

Emanual Carrere është një shkrimtar tashmë i famshëm në kontinentin tonë.Ka marrë shumë çmime, sikundër ka shkruar shumë libra dhe ka pasur shumë ëndrra.Në pamje të jashtme është një i rritur me pamje fëmije. Ka dy sy të ëmbël e ëndërrimtarë që shpesh kur i sheh të duket sikur shohin një tjetër realitet e jo atë që kanë përballë. Është një shkrimtar që u ngjan librave që ka shkruar, personazheve që zgjedh dhe heronjve që kërkon të nxjerrë në pah.Dhe ata janë njerëz kurajozë dhe aventurierë që u pëlqen të marrin përsipër shumë sfida e të kalojnë shumë andralla edhe pse nuk mund të quhen intelektualë.

Ju keni shkruar kohë më parë një ese për Werner Herzog. Çfarë lidhje keni pasur me të?

E kam admiruar si artist, por veçanërisht më ka pëlqyer mënyra se si përballej me punën e tij.E kam admiruar njeriun që me një kamera në dorë brodhi gjithë Amazonën.Mund të them se mënyra ime e të shkruarit i ngjan mënyrës me anë të së cilës ai bënte kinema, mënyrës se si realizonte dokumentarët e tij.Unë jam një njeri që u besoj shumë paparashikueshmërive dhe u jepem me gjithë shpirt.I shijoj këto situata dhe më emocionojnë e më nxisin kreativitetin.Më joshin rrugët e paparashikuara që marrin rrëfimet dhe aventurat e personazheve të tij. Kur më ftuan në Rusi për të xhiruar personalisht një dokumentar për Andres Toma, ushtarin e Luftës së Dytë Botërore që ishte harruar në një fshat të vogël bëra tekstin e dokumentarit dhe më pas edhe librin: “Jeta si një roman rus”. Iu vura punës dhe u ndesha me shumë të papritura që më shfaqeshin hap pas hapi. Ndodhi një vrasje e papritur ajo e Anjës, një nga protagonistet. Dhe kjo më bëri që të dilja tërësisht nga ajo që kisha parashikuar dhe t’u jepesha zhvillimeve të reja pa e ditur se ku do të më çonin. E njëjta gjë më ndodh edhe me librat.Edhe librat që shkruaj, i shkruaj sikundër të ishin udhëtimet që ndërmarr.Janë udhëtime, aventura dhe unë jam një dëshmitar i tyre dhe një kronikan i mirë i të papriturave të jetëve të të tjerëve.Dhe nuk mendoj se është rastësi që historitë e mia rrjedhin të gjitha sipas një rendi kronologjik.

Libri juaj i parë është ai i Philip Dick. Është një libër me të vërtetë i bukur…

Jam zbavitur shumë teksa e kam shkruar një libër të tillë. Edhe pse Dik ishte nga disa këndvështrime një njeri i tmerrshëm.Por unë kam përjetuar gjithmonë një ndjenjë keqardhjeje dhe mbrojtjeje ndaj tij.Ishte si një fëmijë i madh që kishte humbur vetveten në një jetë të cilën nuk e kuptonte mirë.

Në vitin 2001 keni publikuar librin “Kundërshtari”.Është një vepër që niset nga një fakt i kronikës së zezë dhe bëhet fjalë për historinë e Jean-Claude Romand, një njeri që pasi kishte gënjyer për gjithë jetën zhduk gjithë familjen e tij i paaftë për të mbajtur ende mbi shpatulla gjithë peshën e gënjeshtrave të tij.

Po, është një rast i vërtetë që shkaktoi një zhurmë shumë të madhe në Francë.Në procesin gjyqësor ndodheshin gazetarë nga shumë vende të Europës dhe edhe më ekspertët ishin se kjo ishte historia më e veçantë dhe më emblematike me të cilën ishin përballur gjatë gjithë karrierës së tyre. Mua më ndodhi në atë moment diçka e ngjashme me atë që duhet të ketë përjetuar Truman Kapote kur vendosi që të shkruante librin “Me gjak të ftohtë”. Janë ngjarje që të “thërrasin” dhe e bëjnë me një zë të cilit nuk i shmangesh dot.Ajo çka më tërhoqi në fakt ishte ajo përzierja e banalitetit me të jashtëzakonshmen.Secili nga ne herët ose vonë jep llogari për imazhin e rremë që mund të ketë përçuar te të tjerët.Bëhet fjalë për imazhin e vetes. Te njeriu që ndodhej në bankën e të akuzuarve kjo llogaridhënie duket se kishte arritur në një pikë të tillë të lartë sa ishte krijuar një situatë shpirtërore tepër e rrallë e madje tragjike. Për mua në gjithë atë histori kishte diçka shumë misterioze, madje që në fillim të saj dhe deri në momentin që tragjedia u konsumua. Por duhet të them se në këtë rast të shkruarit ishte shumë e vështirë.Kam bashkëjetuar për shtatë vjet me tmerrin. Sigurisht që askush nuk më detyroi që ta bëja një gjë të tillë dhe madje ka raste kur mendoj se ndoshta nuk do të duhej ta kisha bërë.

Ju ka ndodhur edhe herë të tjera ky ndryshim mendjeje?

Kur shkrova “Le të bëjmë një lojë” për gazetën “Leone”.Ishte një tregim erotik që kishte në qendër të tij ish të fejuarën time të dikurshme, Sofi. Edhe në atë rast tregimi mori një rrugë jo të mirë dhe më pas u pendova që e kisha shkruar. Jam ndier për një kohë të gjatë në faj, por më pas e kuptova se për mua në atë kohë bëhej fjalë për një moment krize.

Të futesh nëpër kapitujt dhe të fshehtat e jetëve të të tjerëve mund të jetë ndërkohë e rrezikshme

Njerëzit për të cilët unë shkruaj kanë besim tek unë dhe unë tek ata. Gjithmonë e rilexoj me shumë kujdes atë që kam shkruar dhe nëse e ndiej që duhet të ndryshoj ndonjë gjë e bëj. Puna ime ka të bëjë edhe me kujdesjen për historitë e tyre.

Si do t’i konsideronit librat tuaj? Reportazhe?Biografi?

Nuk e di. Preferoj që të mos u jap një emër. Janë libra dhe kjo mjafton. Nuk do t’i quaja romane, sepse romanet parashikojnë shpikje dhe fantazi, por nuk janë edhe libra që mund t’i quash biografikë. Sot ka një term që i cilëson libra të tillë auto-fiction, por më duket se kyterm ka një konotacion negativ. Personazhet e mia janë realë, por sigurisht që në to unë shtoj edhe nga vetja.Është e pashmangshme një gjë e tillë.

Heroi yt i fundit quhet “Limonov” dhe është protagonisti i një libri që do të dalë së shpejti në treg. Një Xhek London rus, një aventurier, një ushtar, një shkrimtar…

Herën e parë që e takova Limonov ka qenë në Paris rreth 20 vjet më parë.Sapo kishte botuar librin e tij të parë.Më pas e kam takuar edhe herë tjetër në Rusi rastësisht.E gjatë intervalit 20-vjeçar të takimeve tona ai kishte bërë gjithçka. Atëherë nisa të mendoj se sa të ndryshme janë jetët e sa rrugë të ndryshme mund të marrin ato në një kohë relativisht të gjatë. Dhe sa të ndryshëm janë edhe njerëzit. Dhe kjo ndryshueshmëri më nxiti që të shkruaja për të. Ime më është një eksperte e Rusisë dhe kur arrita në këtë vend për herë të parë ndjeva menjëherë lidhjen që na bashkonte. Doja të mësoja rusisht dhe më pas mund të them se Rusia postkomuniste është një vend me një shumëllojshmëri e njerëz të jashtëzakonshëm. Për sa i përket ardhmërisë nuk arrij që të imagjinoj se çfarë mund të ndodhë. Nuk do të jetë gjithsesi një revolucion, por një proces i ngadalshëm demokratizimi. Në Rusi ka një klasë të mesme të aftë dhe kozmopolite dhe mendoj se ajo është shpresa e vendit.

Çfarë është për ju një hero?

Një njeri normal, që në kushte jo normale shfaq vlera që ai dhe të tjerët rreth tij nuk e kanë ditur se ai i ka.

Cilët janë shkrimtarët tuaj të preferuar?

Perec, Sebald, Bolano Houllebecq.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›