Kosova "përplas" Priftin me ministrin serb

Ministri serb i Tregtisë ka braktisur takimin e Forumit Ekonomik të Veronës në shenjë proteste ndaj homologut të tij nga Shqipëria.
Ministri i Ekonomisë dhe Financave, Dritan Prifti e gjatë fjalës së tij e cilësoi Kosovën si një shtet tërheqës për investitorët e huaj.
Por kjo ka sjellë reagimin e homologut serb, i cili nuk e ka pranuar cilësimin e Kosovës si shtet dhe para braktisjes së takimit ka ndërprerë fjalën e homologut të tij nga Tirana.
Milosavljevic ka shpjeguar protestën e tij pasi "po flitej për të ashtuquajturin shtet të Kosovës, i cili nuk ekziston në asnjë ligj ndërkombëtar."
Prifti është pjesë e Forumit Ekonomik të Veronës, në një vizitë që shoqëron kryeministrin, Sali Berisha. Sot vijon dita e dytë e vizitës, ku në axhendë përpos takimeve të tjera është edhe pritja nga kryeministri italian Silvio Berluskoni.