Kosova s'ka ftesë për Samitin e Ohrit

Nga kabineti i presidentit Ivanov, deri tani nuk ka konfirmim për pjesëmarrjen e presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga apo kryeministrit Hashim Thaçi.
Presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov do të jetë nikoqir i Samitit të 16-të të shefave të shteteve dhe qeverive të vendeve pjesëmarrëse në Procesin e Bashkëpunimit në Evropën Juglindore (PBEJ), që do të mbahet më 1 qershor në Ohër.
Nga kabineti i presidentit Ivanov, deri tani nuk ka konfirmim për pjesëmarrjen e presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga apo kryeministrit Hashim Thaçi. Ndërsa është konfirmuar prania e presidentit serb, Tomislav Nikoliq dhe kryetarit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, diplomatit serb, Vuk Jeremiq.
Në këtë samit në qendër të vëmendjes do të jenë temat për bashkëpunim rajonal dhe dialog për partneritet dhe fqinjësi të mirë në Evropën Juglindore, por edhe temat mbi zvogëlimin e rreziqeve nga katastrofat si dhe adaptimi ndaj ndryshimeve klimatike, transmeton INA.
Deri tani pjesëmarrjen e kanë konfirmuar presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, presidenti i Bullgarisë Rosen Plevneliev, presidenti kroat Ivo Josipoviq, Presidenti rumun Trajan Basesku, presidenti serb Tomislav Nikoliq, presidenti slloven Borut Pahor, presidenti i këshillit të Bosnjë- Hercegovinë Nebojsha Radmanoviq si dhe ministri i jashtëm turq, Ahmet Davutoglu. Në kuadër të këtij samiti janë ftuar edhe përfaqësues të tjerë të lartë të OKB-së, Bashkimit Evropian, etj.
Ndërkohë, mospraninë në këtë samit deri tani e ka paralajmëruar presidenti grek, Karolos Papulias./Indeksonline/