E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia e Kosovës edhe këtë vit me patrulla në Shqipëri

Drejtori i përgjithshëm i PK-së, Shpend Maxhuni dhe drejtori i përgjithshëm i Policisë së shtetit të Shqipërisë Hysni Burgaj, në Tiranë nënshkruan marrëveshjen për patrullim të përbashkët në rrugët e Shqipërisë gjatë sezonit veror.

Të dy drejtorët e çmuan lart bashkëpunimin në mes të dy policive, duke vënë në fokus masat e përbashkëta operacionale që do të aplikohen nga policitë respektive.

Ngritja e nivelit të sigurisë në qarkullimin rrugor, shkëmbimi i përvojave, forcimi i sigurisë rrugore, parandalimi i aksidenteve me pasoja për jetë si dhe ndëshkimi i shkelësve të rregullave të qarkullimit rrugor, janë elemente të përmbajtjes së marrëveshjes së nënshkruar.

Gjithashtu edhe ngritja e masave në vendkalimet kufitare u shtjellua si veprim i nevojshëm për krijimin e lehtësirave për qytetarët e dy vendeve.

Marrëveshja mbulon periudhën kohore qershor-shtator 2013.

Drejtori Maxhuni apeloi te të gjithë kosovarët që gjatë udhëtimit dhe qëndrimit të tyre në rrugët e Shqipërisë të respektohen maksimalisht të gjitha rregullat e qarkullimit rrugor.

Sipas raporteve zyrtare që nga fillimi i veprimeve të përbashkëta të të dy policive gjatë sezonës verore në Shqipëri numri i kundërvajtësve dhe aksidenteve ka shënuar rënie të dukshme./Indeksonline/ 
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›