Kosova vend i sigurtë për udhëtime në BE

Kosova përfshihet në listën e vendeve të sigurta për udhëtime drejt Bashkimit Europian. Ky vendim erdhi nga Bashkimi Europian, sipas të cilit, shtetasit e Kosovës, Bosnje e Hercegovinës dhe Malit të Zi do të mund të udhëtojnë në vendet e Bashkimit Evropian edhe pa nevojë të domosdoshme. Shtetet anëtare të BE-së ranë dakord të mërkurën me propozimin e përgatitur nga Presidenca portugeze e Bashkimit Evropian. Heqja nga lista e kuqe e udhëtimeve bëhet për shkak të situatës së favorshme epidemiologjike në këto tri shtete. Ndërkaq, para dy jave, në listën me rrezik të ulët nga COVID-19 ishin përfshirë edhe Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia. Pavarësisht se këto shtete largohen nga lista e kuqe e udhëtimeve, qytetarët e këtyre shteteve duhet të respektojnë edhe disa rregulla të tjera kundër pandemisë. Përfaqësuesit e përhershëm të vendeve anëtare të BE-së diskutojnë sot draft-listën e re, e cila, përveç vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshin edhe Kanadanë, Moldavinë, Armeninë, Azerbajxhanin, Jordaninë, Arabinë Saudite, Katarin dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. BE-ja i pëditëson listat çdo dy javë, në përputhje me situatën epidemiologjike në secilin vend veç e veç. Për të siguruar statusin e një vendi të sigurt, ai duhet të regjistrojë maksimum 75 raste pozitive me koronavirus për 100,000 banorë, në 14 ditët e fundit.