E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosova, vend transit i drogës

(E plotësuar) Departamenti amerikan i Shtetit ka dhënë raportin vjetor mbi strategjinë ndërkombëtare kundër drogave, në të cilin vlerësohet edhe roli i Kosovës dhe angazhimi i saj në këtë strategji dhe luftë.

Në raport thuhet se Kosova është kryesisht një vend transit i drogave nga Afganistani, ndërkaq të dhënat nga Policia e Kosovës flasin për një treg të brendshëm në rritje. Shkalla e konsumimit të drogës në mesin e të rinjve dhe studentëve është e përafërt me moshatarët e tyre në Evropën Perëndimore dhe sipas të dhënave të UNICEF-it dhe të OJQ-ve, në Kosovë janë rreth 20 mijë përdorues të drogës, kryesisht heroinës, ndonëse kokaina po fiton në popullaritet.Kosova përballet me sfida në këtë betejë thotë raporti, sepse kufijtë e saj janë të përshkueshëm dhe ka edhe korrupsion në policinë kufitare të Kosovës dhe tek oficerët doganorë.

Raporti sjell shifra për sasinë e drogës së konfiskuar në Kosovë dhe për numrin e të arrestuarve, mirëpo konstaton se burimet për të luftuar këtë dukuri janë të kufizuara në kuadër të Policisë së Kosovës, ndërsa nënvizon se edhe Qeveria e Kosovës nuk e ka vënë si një prioritet të saj.

As caktimi i këshilltarëve të EULEX-it në departmentin e narkotikëve deri tash nuk ka dhënë ndonjë rezultat të shtimit të arrestimeve apo ndjekjeve penale, thotë raporti.

Kosova thuhet se nuk është një prodhues i rëndësishëm narkotikëve, ndërsa për kalimet transit thuhet se ka rënë sasia nga rruga që vinte nga Afganistani, Bullgaria e Maqedonia, për t’u orientuar tani më shumë nga Shqipëria ku sasia që vjen prej atje dhe nga Mali i Zi është në rritje.

Raporti flet për një strategji të luftës të hartuar nga Ministria e Brendshme e cila ka pasur një progres të kufizuar gjatë vitit 2009, ndërsa nënvizohet bashkëpunimi midis SHBA dhe Kosovës i cili do të jetë në rritje përmes programeve të ndihmës të Departmentit të Shtetit krahas kontributit amerikan në kuadër të EULEX-it me 80 policë, një gjyqtar dhe tre prokurorë. (RTK)

SHBA publikoi raportin për trafikim të drogës

State Departamenti amerikan ka publikuar raportin vjetor për angazhimet globale në parandalimin e tregtisë me narkotikë, në të cilin vihet në pah trendi i bartjes së narko – karteleve meksikane në Amerikën e Mesme dhe në Karaibe dhe në shtimin e shpejtë të qarkullimit të drogës përmes Venezuelës drejt Shteteve të Bashkuara, Europës dhe Afrikës në vitin 2009.

“Rruga ballkanike” e njohur si korridori më i shkurtër i tregtisë me drogën nga Lindja deri në Evropën Perëndimore, kohëve të fundit është bërë rruga e heroinës dhe kokainës.

State Departamenti ka veçuar Bolivinë dhe Venezuelën si vende që nuk bëjnë sa duhet në evitimin e tregtisë me narkotikë.

Si vende ku bëhet “shpëlarja” më e madhe e parave nga qarkullimi më i madh ndërkombëtar me narkotikë, State Departamenti ka apostrofuar 60 vende, duke përfshirë edhe – Australinë, Austrinë, Kanadanë, Kinën, Francën, Gjermaninë, Greqinë, Indinë, Iranin, Izraelin, Italinë, Japoninë, Lituaninë, Holandën, Rusinë, Spanjën, Zvicrën, Turqinë, Ukrainën, Britaninë e Madhe, Shtetet e Bashkuara, Venezuelën dhe Zimbabvenë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›