E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kurti: Ky është proces i persekutimit

Përderisa në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë mbahej seanca gjyqësore kundër udhëheqësit të Lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti, ky i fundit në atë kohë mbante një konferencë për media në selinë e “Vetëvendosjes”, duke ritheksuar se nuk do të shkojë asnjëherë në gjykatë për t’iu përgjigjur persekutimit skandaloz.

Dhjetëra aktivistë të “Vetëvendosjes” ishin që me mëngjes në selinë e lëvizjes së tyre për të mbështetur drejtuesin e tyre dhe për të penguar ndonjë veprim të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës në rast tentimi për ta arrestuar Kurtin.

Drejtuesi i “Vetëvendosjes”, Albin Kurti e ka ritheksuar qëndrimin e tij se nuk do të paraqitet në seancat gjyqësore të organizuara nga EULEX, sepse ky proces nuk përket me drejtësinë, por me persekutimin që po ushtrohet ndaj tij, si nga strukturat e kaluara të UNMIK-ut e tani edhe ato të EULEX-it.

“Ndaj meje nuk ka pasur asnjëherë proces të drejtësisë, por gjithmonë proces të persekutimit, ku gjyqësia përherë ka qenë më policore sesa vetë policia, si në kohën e UNMIK-ut, po ashtu edhe në këtë të EULEX-it. Unë nuk dua të shkoj në këto seanca, sepse nuk dua t’i ndihmoj këtij procesi kundër meje. Aty s’mund të ketë gjykim të drejtë, sepse EULEX-i është i padrejtë. Në Kosovë s’mund të ketë edhe gjyqësi të pavarur edhe EULEX”, ka thënë Kurti.

Sipas tij, padrejtësia e EULEX-it fillon me mospranimin e pavarësisë së Kosovës dhe veprimi i tij sikurse UNMIK-u duke u bazuar në Rezolutën 1244, por edhe në 6 piëkshin e sekretarit të OKB-së, Ban Ki Mun.

Kurti vlerësoi se vazhdimësia e politikës së UNMIK-ut nga EULEX-i shihet edhe në faktin se ky mision nuk i prek krerët politik dhe institucional të korruptuar të Kosovës, ndërsa rikujtoi se nuk mund të ketë drejtësi derisa nuk ndërmerret asgjë kundër policëve rumunë të UNMIK-ut që vranë Arben Xheladinin, Mon Balajn dhe plagosën 80 demonstrues të tjerë paqësor.

Udhëheqësi i “Vetëvendosjes”, Albin Kurti konsideron se është një lloj pakënaqësie kolektive që të ndalet procesi i padrejtë dhe skandaloz ndaj tij, por theksoi se në këtë proces EULEX-i ka mbështetjen e krerëve institucional, sepse ata e shohin “Vetëvendosje” si një problem për pushtetin.

“Mendoj se heshtja e këtyre liderëve dhe partive lidhur me këtë proces ndaj meje është në koordinim për ta heshtur Lëvizjen “Vetëvendosje”, pra janë kanalet e komunikimit të tyre të drejtpërdrejt nëpërmjet të cilave ata koordinohen për veprimet që i marrin. Prandaj edhe EULEX-i insiston shumë në këtë procesin kundër meje, sepse ka dakordimin e këtyre krerëve institucional njësoj sikurse EULEX-i e shohin Lëvizjen “Vetëvendosje” si problem për pushtetin e tyre dhe për vazhdimin e këtij pushteti”, vlerësoi Kurti.

Ndërkaq, aktivistët e Lëvizjes “Vetëvendosje” kanë përmendur edhe Këshillin kundër Procesit ndaj Albin Kurtit, që përfshin 65 organizata e shoqata, i cili ka arritur të mbledh mbi 125 mijë nënshkrime të qytetarëve të Kosovës.

Aktivisti Glauk Konjufca ka thënë se Albini s’do të shkojë në gjykatë për t’iu përgjigjur persekutimit, ndërsa kujtoi se populli po reagon dhe është ngritur kundër kësaj fushate të padrejtë të EULEX-it.

“Dhe përderisa EULEX-i po e vazhdon procesin e dikurshëm të UNMIK-ut kundër Albin Kurtit, vetë UNMIK-u po ia çel EULEX-it rrugën e padrejtësisë, pasi që e ka mbyllur rastin e vrasësve rumunë në Panelin Këshillues të të Drejtave të Njeriut. UNMIK-u po e mbyll drejtësinë, EULEX- po e hap padrejtësinë. Ne nuk e japim Albinin. Ai nuk do të shkojë në gjykatë për t’iu përgjigjur këtij persekutimi skandaloz. Edhe po të donte të shkonte, ne nuk do ta lejonim atë. Edhe po të donim ne, nuk do të na lejonte populli. Albini i përket Kosovës, dhe i duhet asaj”, theksoi Konjufca.

Ai ka rikujtuar se më 21 shkurt, kryesuesi i Panelit Gjykues të EULEX-it, Ferdinando Buatier de Mongeot, kishte thënë se të nesërmen e do Albinin në këtë gjykatë, ndërkohë që të nesërmen ai Panel i EULEX-it u gjymtua me tërheqjen e Fëllënza Kadiut.

Konjufca ka thënë se edhe shumica e policëve të Kosovës po ashtu janë kundër arrestimit të Albinit, dhe se ata ndjehen të poshtëruar me urdhrat e EULEX-it. /kosovapress/

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›