E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosova vendimtare për perspektivën evropiane të Serbisë

Ministri belg i Jashtëm, Didier Reynders, në një intervistë për “Veçernje novostin” e Beogradit, tha në prag të mbledhjes së Këshillit të Evropës se ka përshtypjen se Serbisë po i vihen kushte të reja, prandaj shton se “tash çdo gjë është e pasigurt”.

Po ashtu theksoi rëndësinë e rezultateve të arritura në dialogun ndërmjet Beogradit e Prishtinës, që e ndihmojnë Serbinë të kalojë në një fazë të re në procesin e integrimit evropian.

I pyetur nëse Serbia është e gatshme të kalojë në fazën tjetër të procesit eurointegrues,

Reynders u përgjigj se kur bëhet fjalë për Serbinë “në tavolinë janë raportet e drejtpërdrejta me Kosovën”

“Nga fundi i vitit të kaluar dhe fillimi i këtij tani, bëmë përpjekje që të arrijmë përparimin i cili bëri të mundur që të kalohet një fazë e rëndësishme evropiane. Ndërmjet Beogradit e Prishtinës duhet të shohim përparim të mëtejshëm konkret. Nga të dy palët, u muar vesh”, u shpreh shefi i diplomacisë belge.

I pyetur se çfarë pret konkretisht, kur është fjala për Kosovën, që Serbia të eci më tej në rrugën evropiane, a do të jetë kjo njohja e marrëdhënieve të mira fqinjësore, ai tha se aktualisht pritet që dialogu ndërmjet Beogradit e Prishtinës të përparojë dhe të zgjidhet një numër situatash.

“Në këtë moment kjo nuk vetëkupton kërkesën për njohje (të Kosovës). Është e njohur se vendet evropiane edhe më tutje janë të ndara rreth njohjes së pavarësisë së Kosovës. Sikur të gjitha vendet evropiane ta kishin njohur menjëherë Kosovën, do të ishte e vështirë të paramendohet integrimi nëse një vend nuk e pranon fqinjin e vet. Por, nuk ndodhemi në atë situatë...”/Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›