E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosovafilmi është vetëshuar

U zgjodha ushtruese e detyrës së drejtorit të Kosovafilmit por pasi të shpallet konkursi nuk e kam ndërmend të konkurroj për pozitën e drejtorit. Puna e parë që do ta bëj është kërkesa për auditim për dosjen e humbur të filmit ‘Kukumi’. Shpesh kam shkruar kundër qeverisë, prandaj nuk mendoj se emërimi im është politik. Kosovafilmi është vetëshuar, çdo ditë nga pak. Është institucion pezull, as në tokë e as në qiell, i ngujuar midis disa vendimeve kundërthënëse të ish-ministrave të Kulturës. Kimete Berisha, UD e drejtorit të Kosovafilmit, e emëruar para pak ditësh, flet për Express.

Sapo jeni emëruar U.D. e drejtorit të Kosovafilmit. A mund të na tregoni cili është funksioni qe e kryen ky institucion?

Kimete Berisha: Në këtë pozitë nuk jam zgjedhur nëpërmjet konkursit, as nuk kam shprehur dëshirë të caktohem në këtë pozitë, por e kam respektuar vendimin e Sekretari të Përgjithshëm, z. Veton Firzi, sepse thjesht jam e obliguar ta respektoj vendimin e Sekretarit, më obligon kontrata e punës me MKRS.

Kosovafilmi është offline që nga viti 2004. Sidomos bashkëqytetarët tanë që jetojnë jashtë Kosovës dhe ndërkombëtarët më janë drejtuar disa herë, janë interesuar që të dinë më shumë për punën e Kosovafilmit. Unë nuk isha punëtore, as cicerone e Kosovafilmit, që të tregoj historikun e Kosovafilmit sa herë që dikush më pyeste për të. Prandaj, gjithmonë i kam drejtuar në web-faqen e Kosovafilmit (www.kosovafilmi.com), për të kuptuar më shumë për thesarin e këtij institucioni. Në bazë të web-faqes së këtij institucioni del se aktualisht drejtor i produksionit në Kosovafilm është Isa Qosja, dhe projekti aktual, më i fundit që është realizuar në këtë institucion është filmi “Kukumi”. Në bazë të kësaj faqeje, lëre që nuk ka historik e thesar Kosovafilmi, por ka “vdekur” në mënyrë literare që nga viti 2004, sepse prej kësaj kohe nuk është postuar një aktivitet i vetëm i këtij institucioni. E vetmja gjë për të cilën është përmendur Kosovafilmi që është “gjallë” kanë qenë borxhet e pashterura për këtë projekt (Kukumin), dhe MKRS ende paguan borxhe për të. Ndërsa, unë si zyrtare e kinematografisë e interesuar për “përjetësinë” e këtij filmi që kurrë nuk përfundon, kam qenë e obliguar prandaj e kam kërkuar dosjen e këtij projekti milionësh, dhe nuk e kam gjetur askund!

Cila është puna e parë që do ta bëni në këtë institucion?

Berisha: Prandaj, puna e parë që do të bëj në cilësinë e UD të Drejtorit të Kosovafilmit, do të kërkoj nga Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë që të aprovojë kërkesën për auditim, për të gjetur dhe për ta audituar dosjen e humbur të filmit “Kukumi”, për të cilin MKRS deri para 2-3 muajve ka paguar borxhe e obliguar nga Gjykata.

A është bere shkarkimi i ish drejtorit Gani Mehmetaj dhe emërimi i juaj ne pozitën e U.D. të drejtorit për arsye politike?

Berisha: Përkundrazi, edhe për mua ka qenë e habitshme që më kanë emëruar mua në këtë pozitë, duke u bazuar në faktin që unë njëkohësisht jam edhe gazetare, duke u bazuar në opinionet dhe komentet e mia politike të publikuara në gazetat e përditshme, ku ekskluzivisht me lirinë më të madhe dhe me seriozitetin më të madh jam marrë dhe merrem me të metat e kësaj qeverisjeje, sikurse edhe të tjerave më përpara, dhe ende nuk jam sanksionuar dhe ndëshkuar për këtë liri që ia kam “dhënë” vetes! S’po them që ka liri të fjalës dhe të mendimit në Kosovë, por po them që unë personalisht nuk jam ndëshkuar nga politika në vendimin tim të punës në MKRS, për shkak të shkrimeve që i kam botuar kundër tyre. Pra, mbasi po aludon, po ta them shumë thjesht, njerëzisht dhe privatisht që unë mendoj se kjo “politikë” e ka emëruar në pozitën e UD të drejtorit të Kosovafilmit një gazetare që ka shkruar fuqishëm kundër tyre. Këtë nuk e kam pritur as unë!

Sa i përket kolegut, Gani Mehmetaj, edhe atij si me humor ia kam thënë, anipse është një e vërtetë që shihet me sy e mbulohet me letra, se ai është i vetmi drejtor, më “i zoti” nga të gjithë ish-drejtorët e ministrisë që i ka rezistuar të gjithë ministrat dhe sekretarët e përgjithshëm të MKRS-së. Asnjëherë nuk i është shpallur konkursi, sikurse janë larguar me qejf e pa qejf, të gjithë drejtorët tjerë, pa përjashtim.

Në një letër z. Mehmetaj akuzon se tentoni ta shuani Kosovafilmin. A është e vërtetë kjo?

Berisha: S’jam aq e zonja si KFOR-i kur e zuri godinën e Kosovafilmit më 1999 dhe “e la Kosovafilmin pa kulm mbi kokë”. S’kam fuqi aq të madhe sa ta shuaj ose të ndezi një institucion. Të kisha bile! Sa më përket mua, unë jam e bindur se nuk është e çuditshme të mendosh, siç jam e mendimit unë, se shteti nuk duhet të prodhojë filma, duhet të subvencionojë, por jo drejtpërdrejtë t’i xhirojë e t’i prodhojë ata. Unë thjeshtë nuk mund ta kuptoj se si bëhet që institucioni i shtetit, Kosovafilmi, të konkurrojë në institucionin e shtetit, Qendrën Kinematografike të Kosovës, që të marrë mjete, shteti nga shteti (Kosovafilmi nga QKK), për të xhiruar filma shtetërorë. Nuk ka shkrimtarë shtetërorë, filma shtetërorë, këngëtarë qeveritarë apo aktorë të Qeverisë së Kosovës dhe të shtetit. Kosovafilmi është vetëshuar, çdo ditë nga pak. Kosovafilm i thonë një zyreje të vogël me dritare të vogla depresive, dhe për të shkuar deri në atë zyre të duhet të ecësh nëpër shkallë të ngushta, të mbuluara me tepihë të vjetër ngjyrë lufte (ngjyrë hiri), të ecësh nëpër terr. Me 4 punëtorë dhe pa asnjë raport pune vite me radhë. Ndoshta ka mbetur peng i Ligjit. Së pari, Astrit Haraqia e shndërroi nëpërmjet një vendimi (komisioni) në kinotekë, pastaj fill pas tij Skënder Hyseni rrëzoi vendimin e kolegut të tij Astritit dhe i vendosi që të xhirojë filma shtetërorë, kështu, kemi shumë vendime për fatin e Kosovafilmit dhe asnjë raport pune të Kosovafilmit. Ndoshta ka mbetur peng i kujtimeve nga koha dhe pranverat e kaluara që kanë lulëzuar në Kosovafilmit. Nuk e di unë.

Prej pasluftës Kosovafilmi më shumë i ka ngjarë një arkivi sesa një institucioni aktiv. Çka do të bëni ju për ta rivitalizuar këtë institucion?

Berisha: Ku është Kosovafilmi? Është institucion pezull, as në tokë e as në qiell, i ngujuar diku në Barzakh a në Purgator, i ngujuar midis disa vendimeve kundërthënëse të ish-ministrave të Kulturës. Për mua, nuk i ngjan as një arkivi, sepse nuk ia ka dalë të marrë origjinalin e filmave që ndodhen në Beograd. Kosovafilmi është një derë e mbyllur. Ndërsa, unë s’kam tjetër rrugë, përveç të veproj sipas Ligjit për Kinematografi, që është në proces, e atëherë do të dihet saktësisht se cili do të jetë fati i Kosovafilmit.

Kur pritet të shpallet konkursi për drejtor të Kosovafilmit dhe a do të konkurroni për këtë pozitë?

Berisha: Nuk e di kur do të shpallet konkursi për drejtor të Kosovafilmit, por qind për qind e di se unë nuk do të konkurroj në këtë pozitë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›