Kosovarët do të festojnë lirimin e Haradinajt, besojnë në pafajësi

Ish-bashkëluftëtarët e komandantit të UÇK-së për Zonën e Dukagjinit, Ramush Haradinaj, besojnë se ish-kryeministri do të shpallet i pafajshëm nga Tribunali i Hagës.
Ish-Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Agim Çeku, është i bindur se kosovarët do të festojnë më 29 nëntor lirimin e Haradinajt ashtu siç festuan kroatët lirimin e gjeneralëve Ante Gotovina dhe Mlladen Markaq.
“Çdo vendim tjetër do të jetë i padrejtë”, ka thënë Çeku për RTK.
Edhe Ahmet Isufi, nënkryetar i AAK-së, beson se Ramush Haradinaj më 29 nëntor do të vijë në Kosovë i lirë. “Ai do të jetë në Kosovë, i lirë si çdo qytetar i Kosovës që ka kontribuar për lirinë e vendit”, ka thënë Isufi për Televizionin publik të Kosovës.
Haradinaj më 3 prill 2008, pas një procesi 3-vjeçar ishte shpallur i pafajshëm për të gjitha aktakuzat nga Gjykata Penale e Hagës. Kurse më 21 korrik 2010, Tribunali i Hagës për të parën herë pas 17 vjet të themelimit, mori vendimin e parë kur vendosi për rigjykim të pjesshëm të Haradinajt, edhe pse ky i fundit ishte shpallur me unanimitet i pafajshëm.