Kosovarët, në ‘Gothia Cup’
_878394.jpg)
Ekipet kosovare do të jenë pjesëmarrëse në kupën botërore të futbollit për të rinj ‘Gothia Cup’ edhe këtë vit. Ky turne prestigjioz do të mbahet në Gothenburg të Suedisë nga 15 deri më 21 korrik, ndërsa aty pritet të marrin pjesë mbi 1000 ekipe nga rreth 100 shtete të botës.
Këtë vit, Kosovën do ta përfaqësojnë disa ekipe në të dyja konkurrencat. Gjakova do të përfaqësohet me ekipet U13, U15 e U18, derisa do të marrin pjesë edhe Besa e Pejës, Ferizaj e Liria e Prizrenit. Kurse, tek femrat, pjesëmarrëse do të jenë ekipet Iliria nga Malisheva dhe Ferronikeli i Drenasit.
Skuadrat kosovare ishin mjaft të suksesshme, në përvojat e tyre të mëparshme. Gjakovarët vazhdimisht u plasuan në dhjetëshen më të mirë. Edhe këtë vit, ata synojnë që të rikthehen në atdhe me ‘gjah të plotë’.
“I kemi bërë të gjitha përgatitjet, në mënyrë që të përfaqësohemi sa më denjësisht dhe të jemi të suksesshëm edhe këtë vit”, ka thënë drejtori sportiv i KF Gjakovës, Bujar Haradinaj.
Vitin e kaluar, në kampingun ‘Gothia Cup’, pjesëmarrës ishin katër klube kosovare: Gjakova, Liria, Besa në konkurrencën e meshkujve dhe Malisheva në atë të femrave. Gjakova, me grupmoshën U-16 kishte arritur deri në gjysmëfinale, në evenimentin ku kishin marrë pjesë 1570 ekipe nga 73 vende të botës.
Paraqitje mbresëlënëse kishin edhe Liria, Besa dhe Malisheva në konkurrencën e femrave. Kjo u konsiderua si arritje e madhe për futbollin kosovar, pasi që në këtë turne merrnin pjesë pothuajse ekipet më të mira të botës.