E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosovari ekzekuton familjen

Një baba nga Kosova ka vrarë djalin e tij pesë vjeç dhe ka plagosur rëndë gruan e tij, me të cilën nuk jetonin bashkë. Nga kjo tragjedi ka shpëtuar vetëm djali i tyre dyvjeçar, pa u lënduar.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në natën ndërmjet të shtunës dhe të dielës në qytetin Freising të Gjermanisë, që ndodhet në Landin e Bavarisë.

Policia gjermane nuk e sqaron identitetin e plotë të vrasësit, por thekson se bëhet fjalë për 40 vjeçarin Ajet K, të cilit i është gjetur pasaporta serbe, por që mendohet se është nga Kosova. Ndërkohë, gruaja e tij e divorcuar është identifikuar si Dinore K, e cila e ashtu e plagosur rëndë ka arritur të lajmërojë policinë. Ajo ende është në rrezik për jetë, ndërkohë që nga arma e zjarrit e shkrepur nga Ajeti ka mbetur i vdekur në vend djali i tyre pesëvjeçar Auloni, kurse Ronarti, djali i tyre 2 vjeç, nuk ka pësuar lëndime, por është marrë në mbrojtje nga shteti.

Sipas mediave gjermane, Ajet K ka hyrë në banesën ku jetonte ish gruaja e tij në periferi të qytetit Freising. Fëmijët e çiftit të ndarë kanë jetuar me nënën e tyre, kurse policia nuk ka ende ndonjë shpjegim se përse ka ndodhur vrasja.

Pasi është plagosur rëndë nga ish burri i vet, policia ka sqaruar se Dinore K ka lajmëruar forcat e rendit, veprim që kishin bërë në të njëjtën kohë edhe fqinjët e tyre, të cilët kanë dëgjuar të shtëna në banesën e ish çiftit nga Kosova. Zyrtarët e rendit kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes, por kur ata kanë hapur derën me forcë, para tyre është shfaqur një skenë makabre e trupave të pajetë dhe e gjakut.

Tash për tash ka vetëm spekulime sa u përket arsyeve që kanë shtyrë Ajet K. të marrë këtë hap kaq të rëndë, që të vrasë edhe fëmijën e tij. Sipas të afërmeve të tyre, çifti kishte më shumë se një vit e gjysmë që jetonin të ndarë nga njëri-tjetri, kohë kur Ajet K. është larguar nga banesa e tyre dhe ka jetuar i vetëm në qytetin Hohenkammer. Ajet K punonte si vozitës autobusi dhe një i afërm i tij ka deklaruar se ky person duket se ka vuajtur shumë nga ndarja e tij me gruan dhe fëmijët e tij, duke qëndruar për një kohë të gjatë në depresion.

“Ai ndoshta ka dashur t’i marrë fëmijët e tij sepse nuk mund të jetonte pa ta, ishte i çmendur nga xhelozia”, citojnë mediet gjermane një mik të tij.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›