E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mesazhe paqeje dhe dashurie për Pashkët

Ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, në ceremoninë e Meshës Kremtore të Pashkëve, ka përçuar mesazhin sublim dhe kuptimplotë të paqes, dashurisë dhe tolerancës, duke porositur se vetëm në këtë mënyrë mund të sendërtohet një e ardhme e ndritshme dhe e sigurt.

Duke përkujtuar rëndësinë e festës së Pashkëve, Ipeshkvi Gjergji u bëri thirrje të të gjithë besimtarëve që të mbështesin në jetë njëri-tjetrin me shpresë dhe dashuri, duke ndjekur kështu shembullin e Jezu Krishtit, i cili sakrifikoi veten për të larë mëkatet e njerëzimit.

“Në shënimin e përvjetshëm të Pashkëve ne kremtojmë e njëkohësisht dëshmojmë dhe e shpallim solemnisht ngjalljen e zotit tonë Jezu Krishtit nga të vdekurit dhe se plot shpresë gëzueshëm e ftojmë botën që të bashkohen dhe të drejtohen prej paqes dhe së vërtetës së tij, në liri dhe në drejtësi”, ka thënë Ipeshkvi Gjergji.

Ipeshkvi Dodë Gjergji në ligjëratën e tij ka përkujtuar historinë e Jezu Krishtit dhe veprat e tija të mrekullueshme, duke predikuar ungjillin, shërimin e të sëmurëve, ngjalljes të të vdekurve, dhe thirrjes që u bënte njerëzve të besonin në Zot, duke hequr dorë nga mëkatet, e deri te kryqëzimi i tij dhe ringjallja tri ditë pasi kishte vdekur.

“Shkolla më e mirë se si duhet dhe si është e mundur që të ushtrojmë këtë dashuri të Krishtit është Nënë Tereza, e cila me shërbimin e vet vetëmohues për dashurinë e pakufizuar, dorë plot kur ngushëllonte dhe mbështeste botën dhe frymëzonte botën e të pasurve që të kenë më shumë mëshirë dhe më shumë dashuri, dhe për të ndarë të mirat e tyre për nevojat e të varfërve”, ka thënë Ipeshkvi Gjergji.

Duke ftuar gjithë besimtarët që të tregojnë afërsi dhe dashuri ndaj njëri-tjetrit, Ipeshkvi Gjergji tha se të gjithë ne duhet të jetojmë në paqe dhe të ketë drejtësi për të gjithë, duke lejuar zemrat të transformohen nëpërmjet dashurisë së të Ringjallurit, si masa më e mirë për drejtësinë.

“Më lejoni që të shpreh lutjet e zemrës sime për të gjithë njerëzit në Kosovë që të bashkohen në dashuri duke harruar konfliktet e vjetra dhe duke qenë të gatshëm për të falur, në mënyrë që në paqe të mund të jetojnë të ardhmen, popullin im që të mbështetet në të vërtetën për të ndërtuar të ardhmen dhe në të drejtën dhe jo në renovimin e gabimeve të vjetra historike. Lus Zotin të nxisë përgjegjësitë por edhe njerëzit vullnetmirë që të rrisin kujdesin e tyre për pjesën më të brishtë të shoqërisë sonë, për të moshuarit, për të sëmurët, për invalidët, për jetimët, për fëmijët, për familjet që jetojnë në varfërinë e skajshme”, ka thënë Gjergji.

Në ceremoninë e meshës së shenjtë janë lexuar pjesë të zgjedhura nga Bibla, si dhe janë kënduar këngë kishtare nga Kori i Engjëjve.

Pashkët shënojnë ringjalljen e Jezu Krishtit pas kryqëzimit, ringjallje që simbolizon besimin te Zoti, shpresën për të gjithë besimtarët.

Ceremonitë e kësaj dite të rëndësishme që kulmon një seri ritesh dhe ceremonish fetare që nga Kreshma, e më pas e Premtja e Zezë dhe Dita e Ringjalljes.

Sipas kalendarit fetar, Pashkët kremtohen të dielën e parë pas fillimit të pranverës, apo të dielën e parë pas hënës së parë të plotë të muajit, që zakonisht kremtohen brenda 22 marsit dhe 25 prillit.

Festa e Pashkëve simbolizon ringjalljen e Krishtit, pas kryqëzimit të tij, dhe është festa me e shenjtë për besimtarët e krishterë.

Sipas interpretimit biblik, me ringjalljen e Krishtit ndodh kalimi nga vdekja në jetë, nga e Premtja e Madhe kur vdes Jezu Krishti pas shumë mundimeve dhe gozhdohet në kryq, në të Dielën e Pashkëve kur ringjallet.

Sejdiu: Pashkët ortodokse, festë e mesazheve të mira për të gjithë

Me rastin e Festës së Pashkëve Ortodokse, presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka vizituar familjen e serbit Millosh Maksimoviq nga Graçanica, të cilit ia ka uruar Pashkët, si dhe i ka dhuruar edhe një kompjuter.

Presidenti Sejdiu tha se Pashkët Ortodokse janë një festë e mesazheve të mira për të gjithë njerëzit, festë e mesazheve të mira për bashkëpunim njerëzor dhe humanizëm, ndërsa kujdesi i institucioneve të vendit do të jetë i njëjtë për të gjithë qytetarët pa dallim etnie e besimi.

Gjatë vizitës familjes Maksimoviq, në të cilën ishin të pranishëm edhe ministri i Punës dhe i Mirëqenies Sociale, Nenad Rashiq, nënkryetari i Graçanicës, Igor Aritanoviq, si dhe kryetari i Partisë Liberale Serbe, Sllobodan Petroviq, presidenti Sejdiu foli edhe për komunën e re të Graçanicës.

“Komuna re e Graçanicës do të funksionojë normalisht sikur edhe komunat e tjera në interes të të gjithë qytetarëve. Pjesëmarrja e rëndësishme e qytetarëve në procesin zgjedhor në mënyrë të qetë tregon gatishmërinë e tyre për t’u marrë me problemet jetësore, si çdo njeri tjetër i Kosovës, prandaj, mbetet që kjo ditë feste që është edhe ditë e gëzimit familjar të jetë një impuls i ri për zhvillime, punë dhe për bashkëpunim”, ka thënë Sejdiu.

Ndërkaq, kryefamiljari Maksimoviq duke e çmuar lart vizitën e presidentit Sejdiu, e falënderoi atë për urimet që u solli atyre në festën e tyre më të madhe, si dhe për lodrat dhe kompjuterin që presidenti Sejdiu u dhuroi fëmijëve të tij. /kosovapress/

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›