Kosovë – Dështon sërish përpjekja për konstituimin e Kuvendit

Për shkelje të kushtetutës e kanë akuzuar deputetët e partive opozitare kryesuesin e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, Avni Dehari, pasi ky i fundit paraqiti sërish për votim propozimin e Lëvizjes Vetëvendosje, së cilës i përket, për ngritjen e një komisioni për mbarëvajtjen e votimit të fshehtë për kandidaten për kryeparlamentare të LVV-së, Albulena Haxhiu.
Akuzave, Dehari iu përgjigj duke kërkuar ndërhyrjen e Sigurimit të Kuvendit dhe ndërprerjen e sinjalit të transmetimit të seancës.
“Të nderuar kolegë deputetë, sot me vetëdije të plotë kryesuesi po abuzon dhe po e shkel Kushtetutën. Kjo sjellje është e papranueshme. Ju lutem kthejuni rendit të ditës. Kjo është shkelje, është abuzim”, tha deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku.
“I nderuar zotëri Dehari, kthejuni rendit të ditës”, u shpreh Hykmete Bajrami nga LDK-ja.
Një ditë më parë, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, mbajti një takim me krerët e partive politike në vend për daljen nga ngërçi ku ndodhet Kuvendi, por pa rezultat.
Të enjten, Gjykata Kushtetuese e vendit doli në përfundimin që deputetët janë të detyruar që të përfundojnë konstituimin e legjislaturës së nëntë jo më vonë se 30 ditë, duke nisur nga data 26 qershor, një proces që nuk është përmbushur për shkak se ende nuk janë zgjedhur kryetari dhe nënkryetarët e organit ligjvënës.
Ndërsa kjo gjykatë nuk ka vendosur për ligjshmërinë e refuzimit të votimit të fshehtë nga deputetët e opozitës, këta të fundit argumentojnë se është i paligjshëm kalimi nga votimi i hapur në atë të fshehtë për kandidaturën e Haxhiut.
Gazetare: Elda Pepa
/rtsh.al/