Kosovë – Nesër mbahen zgjedhjet, 28 subjekte politike në garë

PRISHTINË, 8 shkurt /ATSH/ Nesër mbahen zgjedhjet e përgjithshme në tërë territorin e Kosovës. Këto janë zgjedhjet e para të rregullta që prej shpalljes së pavarësisë në vitin 2008.
Procesi i votimit zgjat vetëm pak minuta kohë. Qendra e votimit mund të gjehet në faqen zyrtare në internet të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Kosovës, duke e dhënë numrin personal (ID) si dhe datën e lindjes.
Në qendrën e votimit votuesit duhet të paraqiten me mjetin e identifikimit. Aty, do ta gjeni edhe njëherë broshurën e cila ofron udhëzimet për mënyrën e votimit. Keni kujdes: Nëse votoni për kandidatë e jo për subjektin politik, vota juaj shpallet e pavlefshme.
Gjithashtu, vota konsiderohet e pavlefshme nëse ju e votoni më shumë se 1 subjekt politik. Në anën e majtë e keni subjektin, ndërkaq në të djathtën kandidatët.Ju mund të votoni për dhjetë kandidatë, për dallim prej zgjedhjeve të mëparshme ku votohej vetëm për pesë.
Vendvotimet në Kosovë hapen nga ora 7 e mëngjesit dhe mbyllën në orën 19:00. Krejt kjo kohë llogaritet heshtje zgjedhore. Sipas të dhënave të KQZ-së, numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotime është 1 milion e 970 mijë e 944 votues. Për herë të parë votojnë mbi 125 mijë të rinj.
Ndërkaq, numri i qytetarëve që janë regjistruar për të votuar jashtë vendit, është 104 mijë e 924.Për herë të parë, diaspora voton nëpër përfaqësi diplomatike. Votimi përmes postës ka nisur nga 9 janari.
Në garë për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit janë 28 subjekte politike me gjithsej 1280 kandidatë për deputet. E për kryeministër garojnë katër kandidatë.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpërndarë materialin zgjedhor, përfshirë dhe fletëvotimet, për në komunat e Republikës së Kosovës, ndërkohë, pas përfundimit të procesit të votimit, në 941 qendra të votimit, do të nis numërimi i fletëvotimeve për subjektet politike, gjë që i mundëson këtij institucioni publikimin e shpejtë të rezultateve paraprake.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, në një intervistë për KosovaPress, tha se materialet janë vendosur në Qendrat Komunale të Numërimit dhe në orët e hershme të së dielës, do të shpërndahet në qendrat e votimit.
“Sipas planifikimeve, është bërë shpërndarja e materialit zgjedhor, përfshirë dhe fletëvotimet për në komunat e Republikës së Kosovës. Materialet janë vendosur në Qendrat Komunale të Numërimit dhe në orët e hershme të së dielës, do të shpërndahet në qendrat e votimit, në të cilat procesi i votimit do të fillojë në orën 07:00. Numri i qendrave të votimit të cilat do të hapen më 9 shkurt 2025 është 941, prej të cilave 903 për votimin e rregullt me gjithsej 2,533 vendvotime dhe 38 qendra të votimit për votimin me kusht, nga një për çdo komunë, me gjithsej 56 vendvotime. Numri i qytetarëve me të drejtë vote, emrat e të cilëve janë të shpërndarë ne 903 qendra të votimit apo në 2,533 vendvotimet e tyre, pra për votimin brenda në Kosovë, është: 1,970,944”, tha Elezi.
Ai ka dhënë detaje se çka cilat vota do të numërohen nesër pas mbylljes së vendvotimeve.
“Sipas vendimit të KQZ-së, janë shtypur 1,752,650 fletëvotime, prej të cilave 1,664,100 për votimin në vendvotime të rregullta, 28,450 për votimin me kusht, 38,650 për votimin e personave me nevoja të veçanta dhe si fletëvotime rezervë dhe 21,450 për votimin në përfaqësi diplomatike. Mandej, sipas vendimit të KQZ-së, janë shtypur 323,218 apo 15.57% fletëvotime më pak se numri i votuesve… Në ditën e zgjedhjeve, në vendvotime do të numërohet vetëm pjesa e fletëvotimit ku qytetarët kanë votuar për subjektet politike. Kjo ia mundëson KQZ-së, që brenda një kohe të shpejt të publikojë rezultatet paraprake për subjektet politike. Një ditë më pas, për dallim nga zgjedhjet e kaluara, ne Qendra Komunale të Numërimit, do të fillojë numërimi i pjesës tjetër të fletëvotimit, pra vota për kandidatët për deputetë”, shtoi Elezi.
Elezi është ndalur edhe të risia e këtyre zgjedhjeve e që është vendosja e kamerave vëzhguese në hapësirat brenda vendvotimit. Për legjislativin e ri në garë gjithsej 28 subjekte politike me 1.280 kandidatë të certifikuar nga KQZ-ja.
Zgjedhjet ne Kosove 1 nga 2/KosovaPress/