Kurti: Shqipëria partneri kryesor tregtar i Kosovës, 58 marrëveshje në disa fusha

TIRANË, 8 shkurt /ATSH/ Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë një interviste televizive, deklaroi sot se gjatë qeverisjes së tij janë nënshkruar 58 marrëveshje mes Tiranës dhe Prishtinës zyrtare.
Sipas Kurtit, për herë të parë u arrit unifikimi i abetares shqipe, një proces që nuk ishte realizuar për 22 vite pas pavarësisë së Kosovës.
“58 marrëveshje me qeverinë e Shqipërisë, kurrë s’ka pasur më shumë. Për herë të parë u arrit unifikimi i abetares. Po ta mendosh, 22 vite pas çlirimit të Kosovës, fëmijët në Shqipëri dhe Kosovë kanë mësuar me abetare të ndryshme, por ne e kemi bërë të mundur unifikimin”, tha Kurti.
Ai shtoi se mes Shqipërisë dhe Kosovës, gjatë qeverisjes së tij, është thelluar partneriteti në fushën e energjisë, duke u larguar nga varësia energjetike me Serbinë. Po ashtu, Kurti theksoi se Shqipëria është sot partneri kryesor tregtar i Kosovës.
“Para nesh (qeverisë Kurti), partneri kryesor i Kosovës ka qenë Serbia… Kemi importuar më shumë nga Turqia, por volumin më të madh tregtar e kemi me Shqipërinë. Kemi hapur pika të reja kufitare për 200,000 banorë dhe do të organizojmë bashkarisht dy ngjarje ndërkombëtare sportive, Lojërat Mesdhetare 2030 dhe këtë verë do të organizojmë bashkë me Shqipërinë Kampionatin Europian U-16,” theksoi ai.
Kurti tha gjithashtu se po punohet për hartimin e një enciklopedie të përbashkët Shqipëri-Kosovë, ndërsa bashkëpunimi është shtrirë edhe në fushën e arsimit, duke financuar studimin e të rinjve nga Kosova në Shqipëri dhe anasjelltas
“Janë të pamohueshme sukseset në marrëdhënien mes Shqipërisë dhe Kosovës. Do të bëjmë hekurudhën Prishtinë-Durrës, kemi portin në Porto Romano dhe Durrës. Do të kemi edhe bashkëpunim në fushën e mbrojtjes sepse jemi dy shtete, por një komb. Brezat e ardhshëm kurrë të mos kenë më frikë nga shtetet fqinje. Duhet të kemi një brez që plaket pa luftë. Për këtë na duhet ushtria e fortë”, tha ai.
Duket folur ndër të tjera dhe për sulmin e Banjskës, ai tha se “brezit të ardhshëm duhet t’i lëmë një ushtri të fortë që Serbisë kurrë mos t’i shkojë mendja të na sulmojë më!”
Kurti theksoi se Kosova i gëzohet sukseseve ndërkombëtare të Shqipërisë, duke përmendur hapjen e negociatave me BE-në.
Ai shtoi se, në rast fitoreje në zgjedhje, do të ketë një “stuhi në drejtësi.”
“Unë kam pritur që drejtësia të bëjë një stuhi, por për sa kohë që ajo nuk e bëri, do ta bëjmë ne stuhinë në drejtësi”, tha Kurti.
“Nëse fitojmë, këto katër vite do të jenë vitet e drejtësisë së drejtë”, shtoi ai.
Lidhur me zgjedhjet e së dielës, Kurti tha se ato nuk janë zgjedhje të zakonshme, por një referendum.
“Këto janë zgjedhjet e para të rregullta që pas shpalljes së pavarësisë. Ndonëse janë të rregullta, nuk janë zgjedhje të zakonshme, sepse ajo që kemi bërë në këto katër vite është e paparë për Kosovën. Ne e quajmë këtë ditë referendum. Zgjedhjet e rregullta do të jenë në 2029,” tha ai.
/a.f/