E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosovë Pjesmarrje e ulët në zgjedhje, 26.82%

Autori i Lajmit: Redaksia
KQZ-ja bëri të ditur se deri në orën 15:30, në 21 komunat ku mbahet raundi i dytë i zgjedhjeve, kanë marrë pjesë 26.82% e votuesve. Ky organ evidentoi disa incidente të vogla, që nuk ndikojnë në procesin e tërësishëm zgjedhor. Ndërkaq, “Demokracia në Veprim” flet për disa parregullsi si “rrahje të simpatizantëve, duel verbal mes vëzhguesve, votime të dyfishta e familjare”.
Një pjesëmarrje prej 26.82% është shënuar deri në orën 15:30, në raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë komuash. Kjo pjesëmarrje në balotazhin, që po mbahet në 21 komuna të Kosovës, sipas kryetares së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Nesrin Lushta, është më e madhe sesa në balotazhin e 2007-ës.
“Unë dëgjova se, në krahasim me vitin 2007, kjo përqindje është relativisht e madhe sa i përket raundit të dytë”, tha Lushta në konferencën e tretë me radhë, të mbajtur gjatë ditës së sotme. Ndryshe, KQZ-ja ka evidentuar disa incidente të vogla, që, sipas kryeshefit ekzekutiv, Xhemajl Peqani, nuk do të ndikojnë në procesin e tërësishëm zgjedhor.
Edhe kësaj here, vendvotimet në pjesën veriore të Kosovës, përkatësisht në Mitrovicë, komunë kjo në të cilën në balotazh kanë hyrë kandidati i PDK-së dhe ai i AKR-së, nuk janë hapur vendvotime të rregullta, por janë dërguar ekipe mobile.
“Në Mitrovicë, në pjesën veriore, votimi është duke u bërë i mundshëm përmes ekipit mobil dhe ju konfirmoj se nuk kemi probleme për momentin”, tha Lushta.
Edhe në zgjedhjet e 15 nëntorit, në komunat veriore të banuara me shumicë serbe qenë dërguar ekipe mobile, pasi që nuk qe lejuar hapja e qendrave të votimit nëpër institucionet publike, siç ndodh në pjesët tjera të Kosovës.
Rrjeti i organizatave joqeveritare, “Demokracia në Veprim”, që po monitoron edhe raundin e dytë të zgjedhjeve, bëri të ditur se trendi i daljes në votime është më i ulët sesa më 15 nëntor. Ky rrjet evidentoi disa parregullsi, si “rrahje të simpatizantëve, duel verbal mes vëzhguesve, votime të dyfishta e familjare”. Ismet Kryeziu dha më shumë detaje:
“Në komunën e Malishevës, në Lubishtë, kemi rrahje fizike mes simpatizantëve të dy partive politike që garojnë në këtë komunë, në oborrin e qendrës së votimit, dhe me ndërhyrjen e policisë ky rast është izoluar”.
“Përveç këtij rasti, në Prizren kemi dy raste, ku kemi pasur duel verbal me fyerje mes vëzhguesve, deri afër eksesit të rrahjes, por falë ndërhyrjes së policisë, është mënjanuar kjo”, tha Kryeziu. Ai i cilësoi këto si incidentet më të rënda, ndërkaq vuri në pah se edhe gjatë ditës janë përsëritur votimet e dyfishta dhe ato familjare.
“Kemi votime të dyfishta nga persona të papërgjegjshëm, kemi persona të paautorizuar në vendvotime, kemi militantë partiakë, që bartin bluza dhe materiale të partive dhe frekuentojnë qendrat e votimit, kemi raste kur një nga anëtarët e komisionit po nënshkruan në emër të tjetërkujt, kemi edhe një rast kur vëzhguesit partiak i gjenden fletëvotime në xhep”, theksoi Kryeziu, për të shtuar se do të analizohen edhe më tej këto probleme për të parë nëse do të kenë ndikim në rezultatin e votimit.
Ky lajm është publikuar: 14/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›