E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosovë/ Antikorrupsioni, EULEX bastis zyrën e Fatmir Limajt

Mediat e Prishtinës kanë bërë publik sot faktin se policia ndërkombëtare e EULEX ka kryer disa kontrolle hetimore në Ministrinë e Transporteve të drejtuar nga Fatmir Limaj.
Sipas Koha Ditore, hetuesit kanë kryer edhe disa kontrolle në pronat e Ministrit të Transporteve, pa specifikuar konkretisht çfarë qëllimi kanë këto veprime policore.
EULEX ka dalë me një deklaratë për median në të cilën thuhet se në kuadër të një hetimi Antikorrupsion që po zhvillohet, ditën e sotme departamenti i Luftës Kundër Korrupsionit në EULEX ka kryer bastisje në disa lokalitete në Prishtinë.
Bëhet e ditur nga burime të cituara nga mediat në Kosovë, se mes objekteve të kontrolluara janë Ministria e Transporteve dhe të paktën tre kompani të cilat kanë përfituar procedura prokurimesh nga ky dikaster.
Policia e EULEX-it ka njoftuar se ka bastisur sot disa rajone, në kuadër të hetimeve që udhëhiqen nga Zyra e Prokurorit Special në Kosovë.
"Sot në orën 15:55, Departamenti Ekzekutiv i Policisë së EULEX-it ka bastisur disa lokacione në rrethinë dhe brenda Prishtinës. Kjo është pjesë e vazhdës së hetimeve që udhëhiqen nga Zyra e Prokurorit Special në Kosovë (PSRK)", thuhet në deklaratën e lëshuar, disa minuta pas aksionit, nga Zyra e Informacionit e EULEX-it.
Shefi i ICO-s në Kosovë Pietet Feith ka paralajmëruar dje në Prishtinë, gjatë një konference në një universitet privat, arrestime të niveleve të larta në kuadër të luftës kundër korrupsionit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›