Kosovë, EULEX-i të premten merr në pyetje Limajn

Deputeti Fatmir Limaj do të merret në pyetje të premten nga një prokuror i EULEX-it lidhur me dyshimin për korrupsion.
Burime nga EULEX-i i kanë thënë “Kohës Ditore” se Limaj pritet të merret në pyetje për herë të fundit para se prokurori të marrë ndonjë vendim për ngritje të aktakuzës apo pushim të hetimeve. Të hënën, ndërkohë, përfundon afati ligjor për zhvillim të hetimeve të mëtejshme.
“Z. Limaj është thirrur për tu marrë në pyetje që është edhe e fundit në kampin "Alfa Bravo" në Fushë-Kosovë. Pritet të sqarohen disa detaje rreth dyshimeve për krime ekonomike që rëndojnë mbi të”, ka thënë ky burim në kushte anonimiteti.
Në terren, ndërkaq, hetues të EULEX-it po kërkojnë prova kudo kundër ish-ministrit të Transportit. Ata kanë prerë asfaltin në shumë rrugë të shtruar në kohën sa Limaj ishte ministër i Transportit dhe i Telekomunikacionit për të parë nëse ndonjë centimetër asfalt është vjedhur.
Burime të afërta me procesin kanë thënë se hetuesit nën drejtimin e dy prokurorëve po nxitojnë për të mbledhur sa më shumë prova deri më 23 prill kur edhe përfundon afati ligjor i hetimeve. Pas kësaj date hetuesit nuk kanë më shumë mandat për mbledhjen e provave.
Marrjen e mostrave nga rrugët e ka konfirmuar edhe misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit. Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës nëpërmjet zëdhënësit, Blerim Krasniqi, ka thënë se EULEX-i nuk mund të komentojë rreth detajeve të rastit.
“Gjykata Supreme e ka refuzuar kërkesën e prokurorit për vazhdim të hetimeve më shumë se 24 muaj, sepse ligji e parashokon këtë afat ligjor”, ka thënë një burim nga EULEX-i.
Hetimet kundër ish-ministrit Fatmir Limaj, shefit të prokurimit Nexhat Krasniqi, zyrtarisht kanë filluar më 23 prill 2010.
EULEX-i, nuk e ka përjashtuar ngritjen e aktakuzës e as zgjerimin e listës së të akuzuarve që lidhen me keqpërdorime në këtë ministri.