Kosovë, EULEX-it i zgjatet mandati deri në vitin 2014

Autoritetet e Prishtinës tashmë kanë sqaruar çështjen e vazhdimit të mandatit të EULEX-it. Ministria e Drejtësisë ka hartuar një letër, të cilën pritet ta dërgojë për ratifikim në Kuvendin e Kosovës.
Në këtë mënyrë institucionet e Kosovës, kanë qartësuar formën se si do të kërkojnë vazhdimin e mandatit të misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Prishtinë, për t’ia dërguar më pas këtë letër Presidentes Jahjaga, e cila ia dorëzon Baroneshës Ashton.
Qeveria, përmes Ministrisë së Drejtësisë, e ka hartuar letrën, me të cilën EULEX-it i vazhdohet mandati deri në vitin 2014.
Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi ka thënë se Letra për EULEX`in do të votohet së pari në Kuvend me 2/3 e deputetëve, e pastaj do t’i dërgohet Presidentes.
“Kuvendi duhet ta ratifikojë”, ka thënë Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi. Ai konfirmoi se më pas e njëjta letër do t’i dërgohet Presidentes Jahjaga, e cila do të kërkojë nga Baronesha Ashton t’i vazhdohet mandati Misionit më të madh të vendeve të BE-së në Kosovë.