E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosovë, Fatmir Limaj lihet i lirë pas marrjes në pyetje

Pas 2 orësh marrje në pyetje nga prokurorë të EULEX-it, Fatmir Limaj është lënë i lirë.
Pak para mesnatës, i shoqëruar nga avokati i tij, Tom Gashi, nënkryetari i PDK-së është lënë i lirë.
“Ajo çfarë mund të themi sonte është se Fatmir Limaj kthehet në shtëpinë e tij”, ka thënë Gashi.
“Procedurat ndaj tij do të vazhdojnë edhe në ditët e ardhshme”, ka shtuar avokati.
Vetë Limaj ka thënë se është i gatshëm të bashkëpunojë me organet e drejtësisë.

Por Fatmir Limaj, e avokati i tij, Tom Gashi, nuk kanë qenë në gjendje të thonë nëse ai do jetë në arrest shtëpie apo për këtë çështje do të vendoset nesër kur të dalë para gjykatës.

Ndërkohë policia e EULEX-it ka arrestuar tetë persona në kuadër të hetimeve për krime lufte.
Arrestimet janë kryer me urdhër të gjykatësit të EULEX-it me procedurë paraprake nga Gjykata e Qarkut në Prishtinë.

Misioni evropian për sundimin e ligjit EULEX, ka lëshuar edhe disa fletë-arreste për disa persona të tjerë, ku në mesin e tyre është edhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Fatmir Limaj, ish-ministër i Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit.
Ja disa nga personat që EULEX ka lëshuar fletë-arreste:

Hajdar Hoxha, i lindur më 1968, Rahovec;

Ukë Gegaj, i lindur më 1964, Suharekë;

Fatmir Limaj, i lindur më 1971, Banjë e Malishevës;

Naser Krasniqi, i lindur më 1973, Rahovec;

Besim Shurdhaj, i lindur më 1974

Arben Krasniqi, i lindur më 1978, Carrallukë e Malishevës;

Behlul Limaj, i lindur më 1965, Banjë e Malishevës;

Nexhmi Krasniqi, i lindur më 1972, Tërpezë;

Naser Shala, i lindur më 1972;

Sabit Shala, i lindur më 1972, Kleçkë;

Refki Mazreku, Malishevë;

Shaban Shala
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›