Thellohet kriza në Maqedoni, BDI bojkoton Kuvendin

Vijon të thellohet kriza politike në Maqedoni. Seanca e së mërkruës në Parlamentin e maqedonisë është bojkotuar edhe nga grupi parlamentar i BDI-së. VMRO-DPMNE dhe partitë e vogla të koalicionit pa praninë e BDI-së, kanë zgjedhur guvernatorin e Bankës Popullore të Maqedonisë (BPM), Dimitar Bogov. Guvernatori i ri siguroi 62 vota të deputetëve të maxhorancës dhe të një deputeti nga Partia Liberal Demokrate (PLD) në opozitë. BDI nuk ishte pajtuar me kandidaturën e Bogovit për guvernator, dhe per këtë arsye bojkotoi seancën e votimit. Burime pranë kësaj partie shqiptare bëjnë të ditur për INA se partia e kryeministrit Gruevski nuk ka respektuar një marrëveshje të arritur kohë më parë sidomos gjatë zgjedhjeve presidenciale që posti i guvernatorit që propozohet nga Presidenti i vendit ti përkasë një kuadri shqiptar dhe në këtë detyrë ishte nominuar jozyrtarisht ministri aktual i Ekonomisë, Fatmir Besimi. Parlamenti më pas në rend dite shqyrtoi edhe zgjedhjen e kryetarit të Komisionit Shtetëror të Zgjedheve (KSHZ), por për shkak të mungesës së pranisë së dy të tretave të deputetëve, për shkak të bojkotit të opozitës dhe BDI-së, séanca është shtyrë për të premten. Maxhoranca, kryesisht VMRO-DPMNE nuk heq dorë nga qëndrimi i saj që ta votojë kandidatin e opozitës, Boris Kondarko për kreun e KSHZ-së, edhe pa praninë e opozitës. Në këtë seancë pritet të miratohen edhe ndryshimet e propozuara në Kodin Zgjedhor si dhe shtyrja e regjistrimit të popullsisë për në tetor. Sipas VMRO DPMNE arsye kryesore për shtyrjen e regjistrimit të popullsisë është ndikimi i atmosferës së zgjedhjeve të parakohshme gjithnjë e më të mundshme, tek regjistrimi dhe anasjelltas.