E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kosovë, Gjykata Kushtetuese: Akuzat, përpjekje për presion mbi gjyqtarët

PRISHTINË, 8 shtator/ATSH/ Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka reaguar lidhur me deklaratën e kryeministrit në detyrë Albin Kurti.

Përmes një reagimi në rrjtete sociale, Kushtetuesja i konsideron deklarimet e zyrtarëve të lartë shtetëror dhe të zgjedhurve politikë të pamatura.

“Pavarësia e Gjykatës Kushtetuese nuk është privilegj i gjyqtarëve të saj, por është themel i shtetit të së drejtës. Pavarësia dhe paanshmëria e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës janë të mbrojtura me Kushtetutë, dhe asnjë institucion, parti politike apo individ nuk mund të ndërhyjë në punën e saj. Çdo përpjekje për të ushtruar presion mbi gjyqtarët kushtetues përbën cenim të parimit themelor të ndarjes së pushteteve dhe minon besimin e qytetarëve në sundimin e ligjit dhe në vetë demokracinë”, thuhet në reagim.

Tutje, Kushtetuesja thotë se vendimet e kësaj gjykate bazohen ekskluzivisht në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, në praktikën e saj gjyqësore dhe në standardet ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.

“Vendimet e Gjykatës Kushtetuese bazohen ekskluzivisht në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, në praktikën e saj gjyqësore, si dhe në standardet ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut. Rrjedhimisht, çdo deklaratë që tenton të relativizojë apo paragjykojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese është jo vetëm e papërgjegjshme, por edhe e dëmshme për zhvillimin demokratik të vendit”, thuhet ndër të tjerash.

Ndryshe, Gjykata Kushtetuese apeloi tek të gjitha palët që të respektohet pavarësia e saj, të përmbahen nga deklaratat që cenojnë integritetin e gjyqtarëve dhe vendimmarrjen e tyre të pavarur, dhe të kontribuojnë në forcimin e rendit kushtetues.

/Kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›