E Hënë, 2 Nëntor 2026

Vijon lirimi i hapësirave publike, Rama: Ecim, pa ndalim


TIRANË, 8 shtator /ATSH/ Lirimi i hapësirave publike, një nismë që i paraprin vizionit të qeverisë për Rilindjen Urbane 2.0, synon të rrisë cilësinë e jetës komunitare dhe përmasën e gjelbër të qyteteve.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga vijimi i punës për lirimin e hapësirave publike, një proces që vijon në të gjitha bashkitë e vendit.

“Ecim, pa ndalim”, shkruan Kryeministri, krahas pamjeve të çmontimit të strukturave metalike të vendosura pa leje nga subjektet private.

E konsideruar si një nismë e domosdoshme për rritjen e cilësisë së shërbimeve ndaj komunitetit, lirimi i hapësirave publike synon po ashtu të kthejë edhe funksionalitetin e çdo biznesi dhe sipërmarrjeje në përputhje me standardet kombëtare të mikpritjes dhe shërbimit.

Në këtë kuadër, kryeministri Rama ka paralajmëruar se po hartohet edhe Rregullorja Kombëtare në të cilën do të përcaktohen me ligj hapësirat që mund të shfrytëzojë biznesi. Ndërkohë, sipas tij, “për çdo karrige të vendosur në hapësirën e kufizuar, subjekti duhet të kontribuojë me një pemë në Fondin e Gjelbër, që do të krijojë qeveria e re”.

Puna për lirimin e hapësirave publike ka nisur në fillim të muajit korrik, ndërsa Kryeministri ka deklaruar në vijimësi se ky nuk është një aksion periodik, por do të vijojë të jetë në fokus të angazhimit të pushtetit vendor dhe qendror në kuadër të programit “Rilindja Urbane 2.0”.

Vetëm në Tiranë sipas publikimit të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit, të datës 5 shtator, janë 62 724 metra katrorë sipërfaqe të liruara. Në total, në kryeqytet janë 1832 subjekte të njoftuara, ndërsa është ndërhyrë në 1569 subjekte. Një pjesë e tyre ka realizuar vullnetarisht lirimin e hapësirave publike, të zëna në mënyrë të paligjshme.

Ndërkohë, në portalin e vendosur nga qeveria për qytetarët të cilët duan të denoncojnë hapësirat publike të zëna “Hapësiraimepublike.gov.al”, deri më tani në total janë 9742 raste të raportuara, 6316 raste të zgjidhura dhe 3426 në proces.

VIjon puna për lirimin e hapësirave publike 1 nga 5

/m.m/r.e//a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›