Kosovë, ICO publikoi raportin për qëndrimet në veri
Zyra Civile Ndërkombëtare në Kosovë ka shpallur publikimin e raportit “Mysafirë në shtëpinë tonë: Propozimi Gjithpërfshirës për Statusin (PGJS) dhe komuniteti serb në Kosovën veriore”.
Sipas një njoftimi të bërë public për mediat, raporti është rezultat i një aktiviteti të rëndësishëm të konsultimit me qytetarët i zhvilluar nga zyra e ICO-s në Mitrovicë, ku është diskutuar me mbi 100 shtetas serbë.
ICO thotë se “për të parën herë, ky është zëri i një mostre solide dhe përfaqësuese të serbëve, që jetojnë në Kosovën veriore”.
Në raport citohen edhe fjalët e një serbi që ka theksuar se në PGJS “parashihet universiteti, donacionet nga Beogradi. Por, unë dua të di se cili është plani i qeverisë së Kosovës. Sa shkolla, sa spitale etj, do të hapin në veri”?
Në raport konkludohet se PGJS nuk përmban mekanizma të pranueshëm apo të dëshiruar, që do të mundësonin adresimin e shqetësimeve të serbëve, që jetojnë në këtë pjesë të Kosovës dhe se gjendja në terren nuk do të përmirësohet nëse nuk do të ndryshojë mendimi dhe qëndrimi në Beograd.
Më tej në njoftim theksohet gjithashtu se edhe qeveria e Kosovës duhet të bëjë maksimumin për t`ia shtrirë dorën komunitetit serb në veri.