Kosovë, KQZ prezanton raportin për fazën finale të përgatitjeve për zgjedhjet e 12 tetorit

PRISHTINË, 9 tetor /ATSH/Komisioni Qendror Zgjedhor ka bërë të ditur se në kuadër të përgatitjes së procesit zgjedhor, janë shpërndarë pajisjet e teknologjisë informative, si kamerat vëzhguese për vendvotime, Qendra Komunale të Numërimit dhe materialet tjera.
Në fillim të mbledhjes, KQZ prezantoi raportin mbi fazën përfundimtare të procesit përgatitor të zgjedhjeve lokale më 12 tetor.
Sipas raportit, është përmbyllur procesi i trajnimit të anëtarëve të Këshillave të Vendvotimit për ditën e zgjedhjeve, ndërkaq gjatë ditës së sotme në Qendrën Komunale të Numërimit në Prishtinë është mbajtur trajnimi me administratorët e teknologjisë informative për përdorimin e teknologjisë informative në dorëzim-pranimin e materialeve zgjedhore dhe numërimin e fletëvotimeve.
Besnik Buzhala nga Sekretariati i Komisionit Qendror Zgjedhor, bëri të ditur se në kuadër të përgatitjes së procesit zgjedhor, janë shpërndarë pajisjet e teknologjisë informative, si kamerat vëzhguese për vendvotime, Qendra Komunale të Numërimit dhe materialet tjera.
KQZ mori vendim për de-akreditimin e dy organizatave vëzhguesve Youth Development & Corporation – YDC/ Rinia për Zhvillim dhe Bashkëpunim (12 vëzhgues) si dhe Iniciativa për progres (7 vëzhgues), pasi këto organizata në statutin e tyre nuk i kanë fushëveprim të drejtat e njeriut dhe proceset zgjedhore.
Në pikën tjetër të rendit të ditës, KQZ mori vendim për miratimin e planit operacional për ditën e zgjedhjeve, me anë të të cilit planifikohet organizimi i punës së KQZ-së dhe bashkëpunimit me institucione të ndryshme për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.
KQZ mori vendim edhe për miratimin e planit të konferencave për ditën e zgjedhjeve dhe prezantimin e statistikave të pjesëmarrjes së votuesve në zgjedhje.
/Kosovapress/