E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosovë, KQZ vendos të rivotohet në Prizren dhe Lipjan

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi të shpallë rivotim në komunën e Prizrenit dhe atë të Lipjanit, ndërsa për komunën e Gjilanit shumica e anëtarëve të KQZ-së votuan që, fillimisht të zhvillohen hetimet e shkeljeve të supozuara elektorale nga përfaqësues të KQZ-së, të rinumërohen votat dhe pastaj të merret vendimi pro apo kundër përsëritjes së zgjedhjeve lokale për këtë komunë. Lajmi u bë i ditur nga kryetarja e KQZ-së, Nesrin Lushta, pas mbledhjes së këtij institucioni. “U vendos që të bëhet rivotimi në dy komuna, pra në komunën e Prizrenit dhe të Lipjanit, ndërsa në komunën e Gjilanit të mos bëhet rivotimi, por së pari të bëhet hetimi dhe rinumërimi nga ana e KQZ-së. Pastaj, nga rezultati që do të arrihet, të vendoset a ka nevojë për rivotim, apo jo”, tha Lushta. Votimi për Prizrenin në KQZ përfundoi me 8 vota për, 2 kundër dhe një abstenim, ndërsa me 7 vota pro, 2 kundër dhe një abstenim u vendos që të shpallet rivotim edhe në Lipjan. Vendimi i KQZ-së erdhi pas diskutimeve intensive dhe pas marrjes së një interpretimi më të hollësishëm nga Komisioni Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa për vendimin e 19 dhjetorit të këtij organi. Me këtë vendim, KQZ-ja udhëzohej të urdhërojë rivotimin në tri komuna, ku, pas shqyrtimit të 43 ankesave nga KZAP-i, thuhej se janë evidentuar shkelje dhe parregullsi të shumta, të cilat, siç thuhet, nuk do të mund të rregulloheshin me anulim të këtyre vendvotimeve. Më herët KQZ-ja dukej e pavendosur nëse do të kishte rivotim apo jo në tri komunat. Ndërsa kryetari i Komisonit për Ankesa, Tahir Rreca, në lidhje me kërkesën që KQZ-ja të vendoste për këtë ccështje është shprehur se gjithçka është bërë në përputhje me ligjin dhe se ai është i habitur se si kjo nuk është kuptuar nga KQZ-ja. “Për mua është e habitshme se si e trajtojnë si të paqartë vendimin tonë, kur ai është shumë i qartë, kur janë dhënë arsye të mjaftueshme dhe ka edhe referenca në dispozita ligjore mbi të cilat edhe e kemi mbështetur vendimin”, tha z. Rrecaj. Megjithatë ai nuk deshi të spekulonte për shkaqet se pse KQZ-ja ka kërkuar sqarime shtesë. “Unë nuk e kam të qartë shkakun se pse e kanë kthyer dhe pse kërkojnë përgjigje shtesë. Nuk e di nëse duan ta bartin përgjegjësinë te KZAP-i si organ apo nëse ndoshta edhe nuk e kanë kuptuar vendimin drejt e në përputhje me ligjin. Kjo për mua akoma është e paqartë”, tha Rrecaj.

LDK: Zgjedhjet në 3 komuna, të pashmangshme

Lidhja Demokratike e Kosovës shprehet e bindur se organizimi i zgjedhjeve në tri komuna, Prizren, Gjilan dhe Lipjan është i pashmangshëm dhe se KQZ-ja duhet të respektojë vendimin e Komisionit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa. Lutfi Haziri, nënkryetar i LDK-së, në një konference me gazetarë ka theksuar se keqpërdorimi në 50 për qind të vendvotimeve tregon qartë se zgjedhjet në këto tri komuna duhet të organizohen dhe për këtë nuk duhet të ketë dilema. Haziri më tej ka propozuar që data e mbajtjes së zgjedhjeve të caktohet në muajin janar. Po ashtu, drejtues të Lidhjes Demokratike të Kosovës thanë se janë duke u përgatitur me të gjitha strukturat për të shënuar me një sërë aktivitetesh 20 vjetorin e themelimit, duke filluar në mëngjes me homazhe tek varri i ish- kryetarit Ibrahim Rugova dhe deri vonë në mbrëmje me një koncert për të rinj.

23 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›