Kosovë, Kuvendi miraton rezolutën kundër zgjedhjeve serbe
Me 76 vota pro, deputetët e Kuvendit të Kosovës miratuan sot rezolutën përkatëse kundër mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë.
Paraprakisht, pas një debati të ashpër në mes deputetit Ismet Beqiri me zëvendëskryeministren Edita Tahiri, deputetët e LDK -së braktisën mbledhjen. Beqiri kërkoi sqarime plotësuese nga Tahiri për dialogun me Serbinë. Por, kur Tahiri refuzoi, LDK doli nga salla.
Për rezolutë para mbledhjes ishin marrë vesh të gjitha grupet parlamentare, përveç grupit të Vetëvendosjes, i cili kishte vërejtje e kërkesa plotësuese. Ky grup shfaqi rezervat ndaj përmbajtjes jo përkatëse të saj. Po ashtu Vetëvendosje tha se në konsultimin e mëpastajmë rreth rezolutës ky grup parlamentar nuk ishte ftuar fare.
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, edhe një herë ka përsëritur se nuk do të lejohet organizmi i zgjedhjeve të asnjë shteti tjetër brenda territorit të Kosovës. Sipas tij, për këtë ekziston një qëndrim unik i institucioneve shtetërore të Kosovës. Kurse, sa i përket pjesës veriore, Thaçi ka thënë se për këtë pjesë të vendit nuk do të bisedohet asnjëherë me Serbinë. “Një dialog i mundshëm për pjesën veriore nuk ka ekzistuar, nuk ekziston dhe nuk do të ekzistojë”, ka deklaruar kryeministri Thaçi. Kreu i Qeverisë ka thënë se dialogu i brendshëm me qytetarët e asaj pjese është zhvilluar dhe do të zhvillohet në vazhdimësi, por, sipas tij, në asnjë rast nuk do të diskutohet me Serbinë. Sa u përket pretendimeve për ndryshime kufijsh, kryeministri Thaçi ka theksuar se ua ketë bërë me dije edhe ndërkombëtarëve se shqiptarët më së miri mund të jetojnë në një shtet të vetëm. Reagimet e Thaçit kanë ardhur pas deklarimeve të opozitës se dialogu me Serbinë prej fillimit ishte politik dhe se po përgatitet që veriu të futet në agjendën e bisedimeve të ardhshme.
Deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani, i ka sugjeruar Edita Tahirit që nga udhëtimi i saj i ardhshëm jashtë shtetit të mos kthehet fare pasi që po i sjellë vetëm fatkeqësi dhe dëme shtetit të Kosovës. E deputeti i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, ka thënë se vetëm një gjë është e sigurt nga qeverisja e Hashim Thaçit - autonomia e veriut, duke thënë se Qeveria po përgatitet fshehtas që të hyjë në bisedime për veriun.