Zvicër: Shoferi i autobusit pati infarkt

Autoritetet belge po përgatiten të kthejnë në shtëpi trupat e 22 fëmijëve dhe gjashtë të rinjve që humbën jetën në aksidentin tragjik automobilistik.
Dy avionë ushtarakë të tipit “Hercules” janë vënë në gatishmëri për të kryer transportin, ndërkohë që qeveria belge do të mbajë së shpejti një mbledhje urgjente.
Nga aksidenti, i ndodhur gjatë natës në kantonin zviceran Valais, 24 fëmijë të tjerë mbetën të plagosur, disa prej të cilëve janë ende në gjendje kritike.
Ky ishte aksidenti më i rëndë rrugor në historinë e Zvicrës. Ministria e Jashtme belge deklaroi se shumica e fëmijëve ishin të moshës 12 vjeç. Dy autobusë të tjerë që udhëtonin bashkë me të aksidentuarin mbërritën të sigurt në Belgjikë.
Fëmijët kishin kaluar një javë ski në Alpet zvicerane. Ata ishin nga shkolla në Lomel, në afërsi të kufirit me Holandën, dhe nga St Lambertus, në Heverle, në afërsi të Leuvenit.
Edhe pse shumica e viktimave janë belgë, autoritetet zvicerane deklaruan se mes tyre janë edhe shtatë holandezë. Ndërsa mes të plagosurve janë po ashtu tre holandezë, një polak dhe një gjerman.