E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosovë, PDK dhe LDK përplasen në Kuvend

Seanca e sotme plenare e Kuvendit të Kosovës ka filluar me akuza e kundër akuza mes Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) rreth bllokimit të reformës zgjedhore dhe asaj kushtetuese. Ndërkohë Kuvendi i Kosovës pritet që të votojë pakon prej 21 ligjeve që kanë të bëjnë me përmbylljen e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës.
 

Që në fillim të seancës, kryeparlamentari, Jakup Krasniqi ka kritikuar ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj i cili ka deklaruar se nuk mund të jetë prezent në seancë kur do të debatohet për kodet ilegale të telefonisë celulare. Ai ka kërkuar nga hartuesit e kushtetutës që të përcaktojnë me një amendament që ministrat të jenë prezent në seancë.
 

“Ata që e bëjnë kushtetutën është mirë me bë një amendament që ministrat me qenë prezent në Kuvend. Përderisa ministrat nuk i përgjigjen Kuvendit ne mund të flasim kot në parlament”, ka thënë Krasniqi.
 

Ndërkohë Deputetja nga radhët e LDK-së, Vjosa Osmani ka thënë se LDK-ja, nuk është ajo që po e bllokon reformën zgjedhore dhe kushtetuese, por presidentja Jahjaga dhe kryeministri Thaçi.
 

Për më tepër ajo ka shtuar se në qoftë se nuk mbahen zgjedhjet e drejtpërdrejta presidenciale, Jahjaga do të jetë një presidente që përfaqëson pushtetin. Sipas saj, vlerësimi i Gjykatës Kushtetuese për të gjithë ata që e kanë lexuar, assesi nuk e ndalon dorëheqjen dhe nuk e parandalon kryeministrin të respektojë afatin e zgjedhjeve përfundimtare.
 

Ndërkohë kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci është kundërpërgjigjur duke thënë se nuk është PDK ajo që po e bllokon procesin. Sipas tij, PDK nuk ka kërkuar interpretim për mandatin e presidentes, por vet LDK e ka kërkuar këtë interpretim nga Gjykata Kushtetuese, dhe si i tillë vendimi duhet respektuar.
 

Ndërkohë kryeparlamentari Jakup Krasniqi ka thënë se amendamentet kushtetuese janë në procedim mbi bazën e kushtetutës, jo kërkesë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›