Pasuria e Putinit, 22 milionë dollarë

Ish-zëvendëskryeministri Boris Nemtsov dhe Leonid Martiniuk, një prej anëtarëve të lëvizjes opozitare "Solidarnost", përmes raportit të titulluar "Jeta e një skllavi", hedhin dritë mbi pasurinë e presidentit të Rusisë, vendit të carëve të gjithëpushtetshëm.
Në çdo cep të Rusisë ai ka vila, janë 20 të tilla, 15 helikopterë, 43 aeroplanë dhe katër jahte, ora të shtrenjta në vlerë prej 700 mijë dollarë dhe disa “Mercedesë”. Në total pronat e tij kapin vlerën e 22 milionë dollarëve, shumë më tepër se 115 mijë dollarë që është dhe shuma e deklaruar prej tij.
Të gjitha, sipas dy kritikëve, të paguara nga "Thesari i Shtetit". "Putini udhëhoqi Rusinë për më shumë se 12 vjet. Duke humbur popullaritetin, ai po kacavirret si një maniak në pushtet”, thonë autorët.
Përse-ja është e qartë, shpjegojnë ata: "Nuk është veçse frika e humbjes së lirisë, kapitalit dhe pronave. Një nga arsyet më serioze që e shtyjnë Putinin të ruajë pushtetin është të ruajë atmosferën, luksin me të cilin tashmë është mësuar dhe nuk mund të heqë dorë", thonë më tej rivalët e kreut të Kremlinit.