E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosovë, Pacolli nuk i përmbahet rregullores së qeverisë

Behgjet Pacolli nuk e ka bazuar aktivitetin e tij politik në rregulloren për fushatë e përgjegjësisë administrative të Zyrës së kryeministrit, rregullore e nxjerrë nga qeveria. Mediat kosovare thonë se ai i ka përshkruar të tjera detyra vetes, nga ato që parashikon rregullorja dhe do të angazhojë staf përtej asaj çfarë përcakton kjo rregullore. Lidhur me atë se çfarë do të bëjë në cilësinë e numrit dy të qeverisë, Pacolli ka listuar në detaje, kompetencat në një dokument që e ka emërtuar “Memorandum përshkrues për angazhimin e zëvendëskryeministrit të parë të Kosovës”.

Gazeta "Koha ditore", ka siguruar një kopje të memorandumit, ku tregohet rol i madh në adresimin e çështjeve në fushën e diplomacisë dhe të ekonomisë. Të gjitha kompetencat arsyetohen me gjykimin e vënë në këtë dokument se zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë mund të luajë një rol të rëndësishëm në nxitjen e investimeve të huaja me suksese të dukshme brenda këtij mandati të Qeverisë, si dhe në shtimin cilësor dhe sasior të numrit të njohjeve.

Aty theksohet se aktiviteti do të kryhet “pa shqetësimin për aspekte protokollare të angazhimeve të mëparshme në raport me atë eventual në Qeveri”. Ndonëse e përshkruar kështu, memorandumi ia njeh të drejtën zëvendëskryeministrit të parë që të organizojë pritje të veçantë për burrështetasit që vizitojnë Kosovën, krahas pritjeve që mund të zhvillojë kreu i shtetit apo kreu i Qeverisë.
 

“Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës në kuadër të këtyre dy mandateve, duhet të përfshihet në protokollin e takimeve me zyrtarë të lartë, presidentë, kryeministra, ministra të jashtëm, të industrisë, të ekonomisë, etj., që vizitojnë Kosovën, krahas takimeve me presidentin dhe kryeministrin e Kosovës”, thuhet në këtë dokument.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›