E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ratko Mlladiç, njeriu më i kërkuar në botë

Pas eleminimit të kryeterroristit Osama Bin Laden nga forcat speciale amerikane, personi më i kërkuar në botë tashmë duket se është Ratko Mlladiç, i etiketuar si “ kasapi i Bosnjes” .

Bin Laden ishte njeriu që për 10 vjet kryesoi bindshëm listën e “njeriut më të kërkuar” të FBI-së, por ka lënë pas, një listë të gjatë personash që konsiderohen të rrezikshëm dhe që kërkohen nga autoritetet ndërkombëtare të sigurisë.

Përsa i përket Mlladiçit, edhe pse është më i kërkuari i botës, askush ende nuk ka një ide të qartë se ku fshihet ai, por dyshohet se lideri ushtarak i serbëve të Bosnjës, Ratko Mladiç, strehohet diku në Bosnjë ose ndoshta edhe në Serbi. Mlladiç konsiderohej krahu i djathtë e liderit politik serb të Bosnjës, Radovan Karaxhiç.

Akuzat që rëndojnë mbi të, si një ish ushtarak serb që ka duart më të përgjakura nga masakrimi i civilëve myslimanë boshnjakë, e kanë etiketuar si “Kasapi i Bosnjës”. Karaxhiç aktualisht po gjykohet për krime lufte dhe për genocid në Gjykatën e Kombeve të Bashkuara në Hagë.

Mlladiçi akuzohet se gjatë rrethimit trevjeçar të Sarajevës kishte urdhëruar vrasjen dhe masakrimin e shumë civilëve. Mlladiçi kishte orkestruar edhe masakrën masive në Srebrenicë në vitin 1995, ku të vdekur kanë mbetur më shumë se tetë mijë burra dhe djem myslimanë boshnjakë.

Për të gjetur vendndodhjen e tij, janë ofruar edhe shuma të mëdha parash. Serbia ofron dhjetë milionë euro, ndërsa SHBA-ja ofron pesë milionë dollarë të tjerë. Arrestimi i Ratko Mlladiçit , është edhe një prej kushteve që i janë vendosur Serbisë për anëtarësim në Bashkimin Europian.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›