E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosovë, Sejdiu e Thaci urojnë 28 Nëntorin

PRISHTINE- Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Hashim Thaci urojnë shqiptarët për festën e Pavarësisë. Në shtetin e pavarur të Kosovës, Dita e Shqiptarëve kremtohet për herë të dytë.

Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu u ka uruar qytetarëve të Kosovës 28 Nëntorin. Kushtetuta e zyrtarizon 28 Nëntorin si festë memoriale, por "kjo ditë shënon festën e shqiptarëve kudo, të cilët, çdo 28 nëntor, e kremtojnë me krenari Ditën e Flamurit, që përkon edhe me shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë", thuhet në urimin e presidentit.

"Në shtetin e pavarur të Kosovës, Dita e Shqiptarëve kremtohet për herë të dytë. Si gjithmonë, ne përkulemi përpara gjithë atyre bashkëkombësve e bashkëqytetarëve tanë që flijuan veten për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës", thuhet në urimin e presidentit Sejdiu.

Edhe Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka përgëzuar qytetarët shqiptarë për 28 Nëntorin, Ditën e Flamurit Kombëtar.

Në telegram e urimit të kryeministri Thaçi vlerësohet se, “Dita e Pavarësisë së Shqipërisë, 28 Nëntori, është datë e rëndësishme në historinë moderne të kombit tonë”.

“Republika e Shqipërisë, si faktor i paqes dhe stabilitetit në rajon, është dëshmuar se është model i suksesit të demokracie, i fqinjësisë së mirë, i lirisë, i prosperitetit dhe i zhvillimit ekonomik. Sot, Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe drejt rrugës së sigurt për t’u integruar në Bashkim Evropian”, thekson kryeministri.
(s.g/BalkanWeb)
“Dita e Pavarësisë së Shqipërisë, 28 Nëntori 2009, e gjen shtetin demokratik të Kosovës në rrugën e pandalshme të integrimit në institucionet euroatlantike. Në ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, gjithë bashkëkombësit tanë krenohen me të arriturat e përbashkëta në rrugë drejt integrimit dhe zhvillimit të gjithëmbarshëm”, thuhet në telegramin e urimit të kryeministrit Thaçi.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›