E Diel, 1 Nëntor 2026

28 Nëntori në Kosovë, këngë e valle në Prishtinë

PRISHTINE- Me rastin e 28 nëntorit - Lëvizja "Vetëvendosje" në bashkëpunim me Rrjetin e Organizatave Shqiptare, do të organizojnë në sheshin "Nënë Tereza" në Prishtinë, Panairin e prodhimeve shqiptare.

Rrjeti i Organizatave Shqiptare, ka planifikuar një varg aktivitetesh në sheshin “Nënë Tereza”, në Prishtinë, të cilat do të fillojë në orën 11:00 te busti i Zahir Pajazitit, me himnin kombëtar të kënduar nga Kori i fëmijëve “Xixëllonjat”.

Pastaj, do të hapet Panairi i produkteve shqiptare në të cilën do të ekspozohen prodhime artizanale, si veshje kombëtare, punë dore, vegla muzikore, pajisje të ndryshme për punë. Në këtë panair do të ketë edhe ekspozim të produkteve ushqimore vendore, si produkte të mishit, qumështit, lëngjeve etj.

Që nga hapja në orën 11:00 e deri në përmbyllje të aktiviteteve në orën 18:00, në sheshin Nënë Tereza gjatë gjithë kohës do të performojnë me valle e këngë ansamble të ndryshme nga të gjitha rajonet e vendit.

Gjithashtu, në këtë ditë do të hapet edhe një ekspozitë me fotografi nga historia, ndërsa për fëmijët do të jetë i rezervuar një kënd i posaçëm, tek i cili do të argëtohen duke e vizatuar flamurin kombëtar.
(s.g/telegrafi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›