Kosovë-Serbi, Brukseli preferon 23 janarin
Autoritetet në Bruksel po vazhdojnë të negociojnë me përfaqësuesit e dy grupeve dialoguese, Kosovës dhe Serbisë, me qëllim që të koordinojnë takimin e ardhës për 23 janar, duke e konsideruar si kohën më të përshtatshme për të vazhduar dialogun.
Kështu ka bërë të ditur për Zërin, në kushte anonimiteti, një zyrtar i lartë nga Këshilli i Evropës. Sipas tij, autoritetet në Bruksel janë në bisedime intensive këto ditë me të dyja palët veç e veç për të caktuar datën e bisedimeve dhe temat e debatit.
Prandaj, sipas të njëjtit burim, u është lënë kohë e mjaftueshme që të dyja palët të përgatiten. Ky burim përmendi zhbllokimin e procesit, duke i mundësuar Kosovës që të marrë pjesë në takimet rajonale.
Është pikërisht kjo temë që do të diskutohet në raundin e ardhshëm, me çrast janë paraqitur probleme nga ana serbe, e cila vazhdon të kërkojë që Prishtina në përfaqësimet rajonale të mbështetet në Rezolutën 1244, diçka që është mohuar nga pala kosovare.
Ndërmjetësuesi i BE-së, Robert Cooper, sipas të njëjtit burim, pret që të hënën me datën 23, java e fundit e këtij muaji të jetë vazhdimi i bisedimeve Kosovë- Serbi. Megjithatë, sipas tij, më saktësisht rreth kësaj date Brukseli do të tregojë publikisht gjatë kësaj jave, ose në fillim të javës së ardhshme.
Sido që të jetë, edhe palët e të dyja vendeve kanë pohuar se gjatë janarit, saktësisht pas datës 16 pritet të nisë raundi i ardhshëm i dialogut. Sipas tyre, përveç temës për përfaqësimet rajonale, pritet të diskutohet edhe për telekomunikacionin dhe energjetikën.
Udhëheqësja e delegacionit të Kosovë, Edita Tahiri, ka bërë të ditur se kah mesi i muajit janar pritet të takohen në Bruksel me palën serbe. Por, sipas kryenegociatorit serb, Borko Stefanoviq, për energjinë dhe telekomunikacionin do të diskutohet vetëm në rast se fillimisht pajtohen që Prishtina në përfaqësimet rajonale të mbështetet në Rezolutën 1244.
Ky është kushti ynë, që të shkohet me tema të tjera. Prishtina duhet të heqë dorë nga kërkesa që përfaqësimi rajonal të mos mbështetet në Rezolutën 1244, citohet të ketë thënë Stefanoviq, të mërkurën për Novosti.
Ai ka shtuar se tashmë pala serbe është duke i përgatitur disa propozime lidhur me këtë që do ti paraqet në raundin e ardhshëm.